Infektologu alarmon se tubimet masive rrisin rrezikun për përhapjen e koronavirusit
Edhe pse në kohë pandemie, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se sot do të mbajnë një tubim-manifestim në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet, raporton Agjencia e Lajmeve FaktePlus.
Pjesëmarrës në këtë tubim do të jetë edhe vetë kreu i kësaj partie, Albin Kurti, qeveria e të cilit zgjati 50 ditë dhe vetëm katër muaj ishte në detyrë, pasi më 3 qershor mori detyrën Qeveria Hoti.
Lëvizja Vetëvendosje për një tubim të tillë ditë më parë ka bërë një provë, duke vendosur pika të kuqe ku do të qëndrojnë pjesëmarrësit, në mënyrë që të respektohet distanca dhe kanë thënë do t’i respektojnë të gjitha rekomandimet e IKSHPK- së.
“Më 12 qershor, në ditën e çlirimit të Kosovës, festojmë edhe ditëlindjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në 21 vjetorin e çlirimit dhe 15 vjetorin e themelimit të Lëvizjes do të mblidhemi së bashku në Prishtinë, në Sheshin “Skënderbeu”, në orën 17:00, gjithnjë në përputhje me rekomandimet duke ruajtur distancën fizike. Shihemi të premten në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.
Mirëpo, sipas infektologut, Izet Sadiku çdo tubim masiv, edhe ai i Vetëvendosjes, rrit rrezikun e bartjes së koronavirusit.
Në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Sadiku ka thënë që pjesëmarrësit e këtij tubimi duhet të kenë kujdes dhe t’i respektojnë rekomandimet e IKSHPK- së.
“Çdo tubim masiv i qytetarëve e rrit rrezikun e bartjes së infeksionit me COVID-19 andaj duhet respektuar rregullat e propozuara nga IKSHP e që janë mbajtja e maskës dhe mbajtja e distancës”, ka thënë ish- zëvendësministri i Shëndetësisë së Qeverisë Kurti, që me profesion është infektolog.
Se a do t’i respektojnë masat pjesëmarrësit e tubimit mbetet të shihet nga ora 17:00.
Ditëve të fundit është rritur numri i rasteve me koronavirus dhe sipas Sadikut kjo ka ndodhur për shkak të lirimit të masave dhe mosrespektimit të tyre nga ana e qytetarëve.
“E kemi parë që ditëve të fundit kemi pasur rritje të numrit të rasteve me COVID-19 e cila ka ndodhur pas lirimit të masave dhe mosrespektimit të masave nga ana e qytetarëve. Rritja e numrit të rasteve e rrit edhe numrin e pacientëve të cilët kanë nevojë të kërkojnë shërbime në Klinikën Infektive me çka ngarkohet puna e këtij shërbimi për trajtimin e pacientëve me COVID-19”, ka thënë Sadiku.
Tutje infektologu Sadiku ka këshilluar qytetarët t’i respektojnë masat për parandalimin e përhapjes së infeksionit.
“Duhet angazhuar që qytetarët të respektojnë masat për parandalimin e përhapjes së infeksionit sepse kjo do të ndikonte që të vlerësohen masat të cilat janë ndërmarrë deri sot.”, ka thënë ai.
Prej 13 marsit deri sot në Kosovë janë 1 mijë e 326 raste të koronavirusit, të shëruar janë 921, ndërsa numri i personave të vdekur është 31./FaktePlus