India synon organizimin e Olimpiadës 2032, i bën problem rasti i Kosovës
Komiteti Olimpik i Indisë e ka përsëritur vendosmërinë për ta organizuar Olimpiadën Verore të vitit 2032. Për momentin Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ia ka ndaluar këtij vendi organizimin e eventeve pasi nuk po i pranon garuesit nga Kosova dhe India. Por, drejtuesit e sportit indian besojnë se kjo çështje do të zgjidhet
Komiteti Olimpik Indian (IOA) është i vendosur për ta organizuar Olimpiadën Verore të vitit 2032.
Për momentin, indianët nuk kanë të drejt të organizojnë evenimente ndërkombëtare sportive pasi janë suspenduar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar pasi nuk po i lënë të garojnë në vendin e tyre sportistët nga Kosova dhe Pakistani.
Mirëpo, presidenti i IOA-së, Narinder Batra ka thënë se Mumbai, New Delhi dhe Bengaluru do të ishin të afta ta organizonin Olimpiadën 2032 dhe thotë se India do të mundohet të organizojë edhe evenimente të tjera sportive paraprakisht për ta përgatitur infrastrukturën për ngjarjen më të madhe sportive në botë.
Shteti indian nuk e kishte lënë boksieren kosovare, Donjeta Sadiku të marrë pjesë fillimisht në Botërorin për të reja, e pas një viti as në Botërorin për seniore.
Megjithatë, Batra beson se kjo çështje do të zgjidhet dhe se deri në vitin 2032, gjërat do të ndryshojnë.
“Rasti i Kosovës ka të bëjë me faktin se India nuk e pranon dhe njeh atë si shtet. Rregullat e IOC-së thonë se të gjitha vendet pjesëmarrëse duhet të pajisen me viza. As Rusia nuk e njeh Kosovën, por Lojërat Olimpike Dimërore do të mbahen atje. Tash ka një diskutim (me Qeverinë indiane) dhe ne do t’ua sqarojmë situatën. Ne shpresojmë se kjo çështje do të zgjidhet”, theksoi kreu i sportit indian.