“Ilaçi” për ilegalët e Prishtinës që mblodhi 134 mijë euro (Video)
Vendpunishte pa rrethoja, dëmtim të trotuareve, shpërndarje pa leje e fletushkave nëpër hyrje të banesave, taksi ilegale, janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballen qytetarët e Komunës së Prishtinës. Mirëpo. për këto telashe duket se doli “ilaçi”. Madje, janë mbledhur edhe 134 mijë euro gjatë “luftës” me këto dukuri të kundërligjshme.
Paratë u mblodhën pasi ndaj kompanive ndërtimore të cilat nuk siguronin vendpunishtet nisën gjobat, sikurse pa gjoba nuk shpëtuan as pronarët e bizneseve të cilat shpërndanin fletushka.
Kjo praktikë nisi në shkurtin e këtij viti, kur në krye të Inspeksionit të Komunës së Prishtinës erdhi Adonis Tahiri.
E gjobat që shqiptoheshin për kompanitë, Tahiri herë pas here i publikoi edhe në rrjetin social ‘Facebook’. Metodë kjo që po duket se është duke funksionuar. Kështu ka thënë kryeinspektori i Prishtinës, Adonis Tahiri.
Në një bisedë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, ai bëri të ditur se deri më tani janë mbi 134 mijë euro që kanë hyrë në Komunën e Prishtinës nga pagesa e 770 gjobave që janë shqiptuar.
“Nga janari deri në fund të nëntorit janë 770 gjoba të paguara me shumën totale prej 134 mijë euro. pjesa më e madhe e të gjobiturve i paguajnë gjobat menjëherë kështu që ka shuam pak gjoba të papaguara për shkak se gjoba mandatore brenda është ditëve nëse nuk paguhet shkon automatikisht te përmbaruesi edhe iu bëhet më shtrenjtë por edh iu bllokohen llogaritë. Kështu që secili prej të gjobiturve po kujdeset që gjobën ta paguaj brenda këtij afatit”, ka thënë Tahiri për FaktePlus.
Gjoba më e lartë i ishte shqiptuar një biznesi, i cili kishte vazhduar shpërndarjen e fletushkave nëpër hyrje të ndërtesave, ani pse ndaj tij ishte shqiptuar edhe më parë gjobë.
“Gjoba më e lartë ka qenë 2 mijë 600 euro për shpërndarje pa leje të fletushkave nëpër hyrje. Ka qenë gjobë që i është dhënë brenda një dite, megjithëse e njëjta kompani ka marrë shumë gjoba të ngjashme gjatë këtij viti deri sa e ka ndalë atë mënyrë të shpërndarjes”, tregoi Tahiri.
Inspeksioni po vazhdon të mbikëqyrë edhe ndërtimet për të parë nëse këto ndërtime po bëhen në bazë të projektit që iu është lejuar me leje ndërtimore.
“Mbikëqyrja është e vazhdueshëm me leje ndërtimore nëse pala po respekton lejen ndërtimore dhe projekti përmes së cilës është marrë leja është identike me projektin i cili po punohet në teren. Sepse më herët kemi pas probleme të tilla se lejet janë marrë ndryshe kurse punimet janë zhvilluar ndryshe. Kështu që me pak këta inspektorë që i kemi në sektorin e ndërtimit kemi vendosur rregull në këtë fushë dhe tashmë edhe ndërtimtarët janë vetëdijesuar dhe po i respektojnë ligjet dhe rregulloret në fuqi”, ka thënë Tahiri.
E përveç inspektimeve në ndërtim, Inspektorati i Prishtinës ka bërë edhe inspektime në çerdhe publike dhe private, në marketet e ndryshme për të parë nëse po shiten mallrat me afat të skaduar.
Inspektorët, ishin mysafirë të pa ftuar edhe në furrat e bukës në Prishtinë. Ku disa prej tyre kanë rezultuar të mos kenë dokumentacionin e plotë sanitarë.
“Kemi inspektuar edhe furrat e që një pjesë prej tyre nuk kanë pas dokumentacionin e plotë të pëlqimit sanitar dhe iu kemi dhënë afat 30 ditë dhe kontrolla e radhës do të jetë muajin e ardhshëm në mënyrë që të shohim se a e kanë plotësuar dokumentacionin, nëse jo atëherë do të mbyllen”, shpjegon Tahiri.
Edhe përkundër që transporti ilegal prinë me numrin e gjobave, problemi i këtyre taksive ilegale po vazhdon ende. Megjithatë, Tahiri thotë se numri i këtyre taksive është më i vogël.
“Numri më i madh i gjobave është nga ky sektor. Për shkak se ka shuam taksi ilegal dhe vazhdon të ketë ende, por sigurisht që më pak se në fillim të këtij viti. Kjo për shkak se përveç gjobës që po e japim aty për aty prej 100 euro po i konfiskohen qoftë tabelat apo edhe vetura edhe në raste se palët janë recidivist automjeti i merret pesë ditë dhe jo një ditë. E kjo e ka zbutë pak situatën pro ende ka punë në këtë sektor. Po ashtu jemi duke ndërmarrë masa për ndaj kompanive të taksive të cilat i tejkalojnë numrin e lejeve që i kanë”, tha ai.
Kryeinspektori Tahiri ka treguar edhe pse ka zgjedhur që disa prej gjobave t’i publikojë në rrjetin social “Facebook”.
“E kam zgjedhur këtë metodë për shkak që përmes saj ta shohin edhe të tjerët se nëse bëjnë shkelje të tilla mund të dënohen dhe besoj që ka ndikuar mirë në rritjen e vetëdijes së qytetarëve dhe në rritjen e vetëdijes të ndërmarrjeve dhe të atyre publike”, thotë ai.
Gjoba janë shqiptuar edhe për kompanitë të cilat transportojnë mallra për shkak të shkeljeve që i bëjnë në trafik për ndaljet që i bëjë vend e pa vend, për ngarkim e shkarkim si dhe në mungesë të dokumentacioneve përkatëse për transportimin e mallrave./FaktePlus