IKSHPK-ja thirrje qytetarëve: Kujdes – Mos hani ushqim kudo
Me të filluar implementimi i fazës së tretë të lehtësimit të masave në Kosovë, sot në Prishtinë dhe qytetet tjera të vendit vërehet një fluks më i madh i qytetarëve. E ndaj kësaj ka reaguar Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK), i cili u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, sidomos ku ushqehen këto ditë kur ngritën temperaturat.
Sipas rekomandimeve të institucioneve shëndetësore, Qeveria në detyrë ka marrë vendim që të lejojë rihapjen e bareve, restoranteve dhe qendrave tregtare, nga dita e sotme.
E menjëherë me hapjen sot si në Prishtinë kështu edhe në qytetet tjera të vendit vërehet një fluks më i madh i qytetarëve që frekuentojnë lokalet e ndryshme.
Ndaj kësaj ka reaguar Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK), i cili kërkon që qytetarët të kenë kujdes se ku ushqehen gjatë këtyre ditëve kur fillojnë të ngritën temperaturat.
Njoftimi i plotë nga IKSHPK:
Qytetarë të nderuar!
Ju lutemi për kujdes të shtuar!
Jemi në sezonin e verës! Kujdes gjatë gatimit, Ruajtjes dhe shpërndarjes së ushqimit!
Këtë verë jemi ballafaquar disa herë me helmime me ushqim.
Qytetarë të pafajshëm për shkak të konsumimit të ushqimit të kontaminuar kanë përfunduar në spital të cilët falë përkujdesjes së ekipit të mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë.
Instituti Kombëtar i bënë thirrje popullatës:
Kujdes i shtuar ku konsumohet ushqimi!
Shmangia e konsumimit të mishit dhe peshkut, suxhukut dhe produkteve të ngjashme të papërpunuara termikisht!
Shmangia e konsumimit të ushqimit që përmban vezë të freskëta, si majoneza, soset e ndryshme, etj.
Shmangia e konsumimit të djathit të freskët nga qumështi jo i pasterizuar ose zier!
Shmangia e konsumimit të frutave dhe perimeve të palara
Nuk preferohet konsumimi i ushqimit që ka qëndruar jashtë frigoriferit për më shumë se 2 orë
Konsumimi i qumështit të pasterizuar ose të zier. Frutat dhe perimet të lahen me ujë të bollshëm. Ruajtja e ushqimit të mbetur në frigorifer. Ushqimi i ngrirë i cili është shkrirë duhet të konsumohet sa më shpejt ose të hidhet, nuk duhet të ringrihet!
Duart duhet të lahen:
-para se të filloni të përgatisni ushqimin
-pasi të prekni mishin e freskët, peshkun, vezët ose perimet
-pas përdorimit të tualetit
-pasi të pastroni hundën
pasi të prekni një kafshë
-pasi të prekni ndonjë plagë apo prerje në trup.
MOS HANI USHQIM KUDO!
PAKUJDESIA SHKAKTON EPIDEMI ME RREZIK PËR JETÊN E QYTETARËVE!