Ikona e Prishtinës drejt shkatërrimit
Hoteli Grand, që gjendet në qendër të Prishtinës, dikur ishte ikonë e kryeqytetit. Por, tashmë ai ngadalë ka nisur e po shkatërrohet si pasojë e moskujdesjes. Ky hotel dështoi të privatizohej dhe sot ka mbetur nën mëshirën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Paqartësitë rreth Hotelit Grand në Prishtina po vazhdojnë edhe pas 12 vjetësh që kur se ishte privatizuar, si pjesë e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore.
Grand Hotel Prishtina ishte shitur për 8 milionë euro me kusht që aty të investohen rreth 20 milionë euro, por për shkak të mospërmbushjes së obligimeve, ai iu mor privatizuesit.
Por, mosrealizimi i zotimeve nga ana e blerësit thuhet se bëri që kjo ndërmarrje shoqërore të hynte në paqartësi në mes blerësit të Hotelit Grandit, Zylqif Berisha pronar i kompanisë NTP ‘Unio Commerce’ dhe AKP-së.
Agjencia Kosovare e Privatizimit në vitin 2012 tërhoqi aksionet në ndërmarrjen e re Grand Hotel dhe ktheu këtë ndërmarrje nën administrimin e vet.
Kjo tërheqje e aksioneve nga blerësi i këtij hoteli konsiderohej si e padrejtë.
“Në kohën kur më kanë larguar nga Hotel Grandi (viti 2012) dhe atë e kanë bërë me polici, unë e kam kuptuar se më është ndërruar fleta poseduese nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe është bërë bartja e pronësisë së Hotel Grandit nga ‘NTP Unio Commerce’, në Agjencinë Kosovare të Privatizimit”, kishte thënë Berisha.
Ndërkohë, përfaqësuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit patën treguar se me Hotelin Grand, të gjitha procedurat gjyqësore lidhur me këtë veprim ligjor të AKP-së kanë përfunduar me vendime gjyqësore përfundimtare në favor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Por, procesi gjyqësor rreth Hotelit Grand është duke vazhduar, shkruan FaktePlus.
Grand Hotel, sipas AKP-së, në vitin 2012 ishte trashëguar nga ish-blerësi në kushte jo të mira infrastrukturore dhe financiare.
Por, ky hotel, krahasuar me të kaluarën është pothuajse jashtë veprimtarisë për të cilën ishte destinuar në kohën kur u ndërtua 40 vjet më parë, në vitin 1978.
Aktualisht, në hapësirat e Hotelit Grand operojnë biznese të ndryshme, duke filluar nga shtëpi mediale, zyra për shërbime të ndryshme ligjore, të kontabilitetit, organizata të huaja, aparate bankare, hapësira reklamuese, lojëra të fatit e shërbime medicinale.
Nga rreth 800 punëtorë sa numëronte Hoteli Grand në fillim të veprimtarisë së tij, aktualisht ka vetëm 80 punëtorë.
Grand Hotel ishte inauguruar më 25 prill të vitit 1978. Ai ka një sipërfaqe nga përafërsisht 32.000 m2. Hoteli ka 202 dhoma me një shtrat, 142 dhoma me dy shtretër, 9 dhoma me tre shtretër, 9 apartamente dhe 2 rezidenca.
Hoteli është i pajisur me objekte tjera: restaurant, tavernë, kafe bar, bar i natës si dhe salla për konferenca.
Behgjet Pacolli ka vite që e llogarit si pronë të tij “Hotel Grand”-in, ani pse Gjykatat e vendit nuk e njohin si blerës.
Edhe sivjet në regjistrin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Ministri i Punëve të Jashtme, njëherit zëvendëskryeministri i Kosovës, Behxhet Pacolli, Hotel Grandin e ka futur në listën e pasurive të paluajtshme të tij.
Në bazë të deklarimeve të Pacollit, vlera e Hotelit dikur më me nam në Prishtinë, llogaritet të jetë 3 milionë e 630 mijë euro.
Hoteli Grand aktualisht është në proces të likuidimit. Që nga marrja nën kontroll të drejtpërdrejt të ‘Hotel Grandit’ nga AKP dhe përfshirja e saj në likuidim./FaktePlus