Ikona e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha do të paguhet nga 500 euro në muaj
Ikona e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha, do të fillojë të marr nga 500 euro në muaj, në bazë të vendimit të Qeverisë, për dhënien e statusit të qytetares me merita të veçanta.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, gjatë një vizite që i ka bërë këngëtarës së madhe shqiptare, ia ka dorëzuar vendimin.
“Shumë i lumtur që Ikona e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha, nga ky muaj filloi të përfitoi shumën prej 500 euro në baza mujore nga Ministria e Kulturës. Sot vizitova këngëtaren në banesën e saj, të cilës ia dorëzova Vendimin e Qeverisë për statusin e qytetares me merita të veçanta për shkak të kontributit të saj në promovimin e muzikës së mirëfilltë shqipe”, ka shkruar Gashi në rrjetin social Facebook.
Ministri Gashi, me tutje ka thënë se këngëtarja Pagarusha, ka dhënë kontribut të madh në përçimin e vlerave dhe traditave shqiptare kudo që ka marr pjesë në festivale.
“Bilbili i këngës shqipe Nexhmije Pagarusha ka dhënë kontribut të madh në përçimin e vlerave dhe traditave të vendit tonë me pjesëmarrjen e saj në festivale e skena të njohura ndërkombëtare”, ka shkruar Gashi /FaktePlus