IHMK paralajmëron reshje shiu me intensitet të lartë e shkarkime rrufesh
Insituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se situata hidrometeorologjike në vend ende nuk është stabile pasi pritet të ketë reshje shiu vende-vende me intensitet më të lartë.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook të faqes së IHMK-së thuhet se reshjet e shiut mund të paraqesin potencial për bllokim të sistemeve të kanalizimeve, mbyllje të pusetave, shembje të dheut dhe drunjve, shkarkime rrufesh etj.
“Të nderuar, situata e përgjithshme Hidrometeorologjike ditëve të fundit është jo stabile, si pasojë e reshjeve të shiut të përcjella me stuhi lokale me breshër dhe erëra të forta, duke shkaktuar edhe vërshime të shpejta sidomos të disa rrjedhave ujore me karakter malorë (rrëket, prrocakt etj).
Situata e përgjithshme hidrometeorologjike në vend akoma nuk është stabile, ngase edhe sot dhe gjatë dy ditëve në vijim pritet të ketë reshje shiu vende vende me ingensitet më të lartë, të cilat mund të paraqesin potencial për bllokim të sistemeve të kanalizimeve, mbyllje të pusetave, shembje të dheut dhe drunjve, shkarkime rrufesh etj”, thuhet në postim.