Idro Seferi: Serbia e konsideron më mbështetëse Administratën Trump në çështjen e dialogut
Serbia po e konsideron Administratën Trump më të afërt në çështjen e dialogut të ardhshëm me Kosovën.
Kështu vlerëson korrespodenti i TV Klan në Beograd, Idro Seferi, ndërsa foli sot për Info Magazine rreth pritshmërive të palës serbe nga takimi i 27 qershorit në Washington.
”Ai [Aleksandar Vuçiq] u akuzua këtu se po shkon të firmos marrëveshje një ditë para Vidovdanit ose festës së betejës së Kosovës që është më 28 qershor”.
”Ajo që në Serbi është pritur me entuziazëm është kthimi në tavolinën e bisedimeve”.
”Për shkak se konsiderohet pak a shumë në opinionin e brendshëm sikur SHBA-të mbështesin më shumë në këtë rast Serbinë sesa në të shkuarën – apo të paktën i dëgjojnë kërkesat e Serbisë”.
”Në opinion besohet që do të ketë një propozim për të firmosur një memorandum mirëkuptimi i cili do konsiderohej si një shprehje e vullnetit të mirë nga të dyja palët për të diskutuar më vonë”.
”Disa burime thonë se do të ketë edhe më vonë takime jo vetëm në Washington, por edhe në Paris e vendet tjera që do të vijnë gjatë veres e deri në gjusht ku pritet të ketë takime më serioze.
Megjithatë gazetari i njohur Idro Seferi pohon se pavarësisht kësaj, Aleksandar Vuçiq mund të ballafaqohet me një problem në procesin zgjedhor.
”Në Serbi Vuçiq është në problem sepse një pjesë e madhe do t’i bojkotojnë zgjedhjet dhe është e rëndësishme për të që procesi zgjedhor të jetë sa më i mirë dhe më i pranueshëm para ndërkombëtarëve”.
”Por mund të them se Aleksandar Vuçiq mund të negociojë pavarësisht zgjedhjeve dhe rezultatit sepse nuk pritet të ketë befasi, thuhet se do të ketë deri 60 deri në 65% të votave dhe do të mund të dalë para Kosovës në Washington”.
”Në Serbi është pritur me dyshim nëse do të mund të ketë vazhdim të bisedimeve, por të gjitha kërkesat e Serbisë që kanë qenë heqja e taksës dhe reciprocitetit janë bërë dhe po ashtu është thënë që nuk do të ketë insistim të Kosovës për inkuadrim në organizatat ndërkombëtare derisa të zgjasin bisedimet dhe është konfirmuar në një far formë se Serbia nuk do të lobojë kundër Pavarësisë së Kosovës apo tërheqjen e njohjeve siç ka bërë deri më tani”.
Çfarë synon Aleksandar Vuçiq që Serbia të fitojë më 27 qershor?
”Serbia do të flas për ekonomi fillimisht, por Aleksandar Vuçiq nuk ka qenë i drejtpërdrejtë në kërkesën e tij për mundësi të ndarjes ose shkëmbimit, apo siç është quajtur këtu përkufizimit të territorit me shqiptarët”.
”Por ajo ka qenë e qartë”.
”Një kërkesë e tillë e Serbisë është e pranueshme dhe Serbia nuk e ka fshehur pavarësisht që Vuçiq jo shpesh ka folur për këtë gjë, por ka qenë Daçiq dhe të tjerët në qeverinë serbe e kanë përmendur dhe shtruar hapur një ide të tillë”.