Ibrahimi: Trepça në gjendje të rëndë, shteti duhet të kthej sytë kah kjo pasuri (VIDEO)
Dikur ishte ndërmarrja më gjigante në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi. Tani në shtetin e pavarur të Kosovës miniera e “Trepçës”, që dikur krenoheshim, është në fazën e mbijetesës e duke u përballë me një mori problemesh.
Mosha e shtyrë e punëtorëve, mungesa e njerëzve të fushës së profesionit, teknologjia e vjetruar, gjendja e energjisë elektrike, ajrimi që është brenda minierës së “Trepçës”, janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballet pasuria e ‘fjetur’ e Kosovës.
Edhe pse në muajin gusht-shtator e tetor është rritur prodhimi në ‘Trepçë”, nga ky përfitim nuk po mund të mbulohen as pagat e punëtorëve e as shpenzimet operative.
Kryeshefi i ndërmarrjes “Trepça”, Basri Ibrahimi në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka treguar detaje me problemet që po ballafaqohen aktualisht dhe me planet e pritjet për të ardhmen.
FaktePlus: Me cilat probleme jeni ballafaquar prej kur e keni marrë drejtimin e Ndërmarrjes “Trepça”?
Ibrahimi: Problemet të cilat i kam has janë të shumta. Duke filluat prej vjetërsisë së punëtorëve, sepse mosha diku mbi 57 diku 58 vjeç. Kjo është mosha mesatare e të punësuarve në Shoqërinë Aksionare “Trepça”. Mungesa e njerëzve të fushës së profesionit, pra krijuar nevojën me u ngrit niveli profesional i njerëzve që janë këtu. Sepse shkuarja e gjeneratave të vjetra e bënë që gjeneratat e reja të kenë nevojë të ngritën profesionalisht.
Teknologjia shumë e vjetruar dhe shumë e paktë e cila pastaj ndikon në prodhim të drejtpërdrejt dhe mbi prodhimin pastaj varen edhe kushtet e tjera që duhet plotësohen.
Humbje të mëdha po shkaktohen edhe nga teknologjia e stërvjetëruar. E më mirë nuk qëndron as miniera e Kishnicës dhe Artanës.
FaktePlus: Më herët u ndal energjia elektrike. Sa shpesh ndodh kjo dhe a keni diskutuar me KEDS-in për këtë çështje?
Ibrahimi: Fatkeqësisht kur unë kam ardhur këtu, gjendjen e rrymës e kam gjetur jashtëzakonisht të rëndë. Sepse në shkurt të këtij viti ka pas një avari të madhe në trafot tona dhe sot ne jemi duke u furnizuar vetëm prej një burimi me rrymë elektrike. Dhe fatkeqësisht ose fatmirësisht sot ju e patë që u ndalë rryma dhe nuk keni arritur me dalë prej minierës kohën kur ju e keni planifikuar dhe kur ju keni dashur të dilni. Sepse nuk kemi rrymë alternative. Kjo kushton jashtëzakonisht shumë për të vënë në funksion ndërmarrjen dhe ne jemi në përpjekje bashkë me KOSSTIN që të bëjmë një siguri më të madhe për këtë dimër dhe pastaj në muajt e ardhshme të shohim çka duhet bërë.
FaktePlus: Si qëndroni aktualisht me prodhim?
Ibrahimi: Përkundër kësaj gjendje me të cilët përballemi, ne e kemi rritur prodhimin dhe vetëm për tre muaj, gusht-shtator-tetor, ne kemi bërë diku 1 milion euro qarkullim sa muajt paraprak dhe kursim me rreth 200 mijë euro.
Mirëpo prapë këto, nëse flasim për diku tjetër janë shifra të mëdha, por nëse flasim për ‘Trepçën’ këto janë shifra relative. Dhe ne ende nuk jemi në atë që unë e quaj zero pozitiv ku i mbulojmë pagat e të gjithë të punësuarve dhe njëkohësisht edhe shpenzimet operative.
FaktePlus: Sa xehe keni nxjerr nga minierat?
Ibrahimi: Në këta muajt e fundit i kemi 900 ton, i afrohemi 1 mijë tonshit. Por, duhet thënë se në qoftë se do të nisnim prej fillimit të vitit do të ishte një diferencë shumë më e madhe, se në muajt e parë të këtij viti kur kanë qenë vetëm 300 ton. Pastaj në muajt tjerë ka qenë një grevë, kanë qenë do probleme tjera që nuk është një barometër i saktë i matjes së punës që ka qenë deri atëherë, por që nuk e ka kaluar mbi 600 ton. Por, prej ardhjes time dhe të tjerëve kjo është ngritur. Nuk dua të them se ka ndikuar angazhimi ynë, por që bashkërisht me të gjithë unë që nga dita e parë që kam ardhur kam kërkuar bashkëpunim. Unë nuk kam thënë që do të bëjë çudira dhe mrekulli, por unë kam komunikuar me punëtorët, udhëheqësit dhe minatorët dhe iu kam thënë se ne duhet bashkërisht të punojmë, sepse vetëm kështu mund ta rrisim ‘Trepçën’… dhe bashkërisht kemi arritur që ta ngrisim prodhimin.
FaktePlus: Çfarë qasje duhet pasur që Trepça të zhvillohet si duhet?
Ibrahimi: Filozofia ime është se ne duhet ta shohim Trepçën si një biznes…Ne sot duhet ta mbajmë, ta respektojmë historinë, por ne duhet të flasim tani për të ardhmen. Nuk duhet të mbesim peng i së kaluarës, por që të orientohemi, sepse këtu ka edhe nevoja të reja. Kjo sepse Trepça me Ligjin 2016 është përkufizuar si Shoqëri Aksionare që në brendinë e saj tani i ka disa njësi të veçanta dhe disa prej tyre nuk janë prodhuese, profitabile. Aty duhet të bëhet një hulumtim ose studim i fizibilitetit dhe të shihet çka të bëhet në to. Ka qenë meteralugjia e zinkut, ka qenë fabrika e akumulatorëve, por që në ditët e sotme, në kushtet e sotme dhe në tregun e sotëm është shumë problem që ato të ri-aktivizohen. Ne duhet të shohim se çfarë duhet të bëjmë më tutje, si duhet t’i qasemi këtyre njësive të tjera dhe të lirohemi ndoshta për shumëçka që janë si barrë, sepse për Trepçën sot këto njësi janë barrë dhe jo ndihmesë.
FaktePlus: Dihet se minatorët kanë punë të rëndë. A kanë mbështetje ligjore e institucionale sa duhet?
Ibrahimi: Për të gjithë këta njerëz që janë të punësuar këtu, ndaj tyre duhet pasur një kujdes të shtuar, sepse kanë punuar shumë dhe në kushte shumë të vështira dhe një pjesë e tyre janë edhe në gjendje shëndetësore të rënduar. Sikur të kishte ekzistuar një analizë e asaj që quhet sëmundjet profesionale, të gjithë këta njerëz do të kishin pas një pension të merituar për shkak të kushteve të punës që kanë pas permanente. Por, fatkeqësisht sot në Kosovë nuk ka analizë, ose nuk ka pension i cili do të ishte ndarë për sëmundje profesionale.
FaktePlus: Po thoni se gjendja e 1240 punëtorëve nuk është e mirë. Çka duhet të bëjë Qeveria për këtë çështje?
Ibrahimi: Ajo çka duhet të bëjë Qeveria, e që duhet urgjentisht të veprohet është që të nxirret një Ligj i cili do të bëjë pensionimin, jo të parakohshëm, por të kohshëm të minatorëve dhe punëtorëve të minierave. Më herët ka ekzistuar një Ligj i cili i ka dhënë edhe stazhin e benificuar. Duke filluar prej 14 muaj brenda një viti, 15 muaj, e kështu me radhë, varësisht prej vendit të punës që ka pas. Dhe me këtë do të ishin krijuar kushtet që të bëhet rifreskimi i energjive punuese, sepse këta punëtorë që e kanë dhënë kontributin e vet sot gjendjen shëndetësore nuk e kanë të nivelit të duhur, por e meritojnë një pension të mirë, të merituar dhe jo sikurse pensionet që i kemi fatkeqësisht me 90 euro apo 240 euro. Pra, për minatorët të nxirret një Ligj i veçantë i cili do t’i dërgonte në një pension të merituar në një moshë shumë më të re sesa që janë sot.