I vështirë transformimi i FSK-së në Ushtri, kërkohen investime më të mëdha
Miratimi i pakos së ligjeve i dha Forcës së Sigurisë së Kosovës edhe mandat ushtarak. Kjo për shumë kë ishte ndër lajmet më të mira për vendin që nga paslufta. Megjithkëtë periudha e shndërrimit të FSK-së në Ushtri nuk do të jetë e thjeshtë dhe mund të zgjasë një dekadë. Përkundër që gjatë fushatës janë dhënë premtime nga politikanët se ky transformim mund të bëhet për 4 vite, këtë nuk e besojnë njohësit e fushës së sigurisë. Sipas tyre, për këtë duhet të shtohet buxheti, por të kryhen edhe punë të tjera, si në trajnime e në kapacitete humane.
Kuvendi i Kosovës në dhjetor të vitit 2018 i miratoi përfundimisht tri ligjet, me të cilat mundësohet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.
Ndonëse emri i FSK-së nuk pësoi ndryshime për shkak të pamundësive për ndryshime kushtetuese, ligjet e miratuara vlerësohet se i japin FSK-së kapacitete ushtarake gjatë një procesi transformimi brenda disa viteve.
Një vit nga bërja e Ushtrisë, për njohësin e fushës së sigurisë, Avni Islami, gjatë Qeverisë ‘Haradinaj’ nuk është bërë sa duhet për transformimin e FSK-së.
Sipas tij, duhet të punohet më tepër në logjistikë e resurse njerëzore, në mënyrë që procesi i transformimit të përfundojë brenda pesë vitesh.
“Gjatë gjithë kohës në Qeverinë Haradinaj, nuk është punuar aq sa duhet, nuk është përshpejtuar puna sa duhet. Ushtrinë e Kosovës e pret një punë e madhe për shkak se sipas të gjitha analizave del që ajo për të qenë me gjithë kapacitetet e saja operacionale, i duhen 10 vite. Por, ne duhet që të punojmë më tepër, me një ritëm më të përshpejtuar, duke plotësuar logjistikën dhe resurset njerëzore në mënyrë që Ushtria e Kosovës të mos e pret 10 vitëshin. Duhet të punohet shumë më shumë, të bëhet e pamundura e mundur që brenda 5 viteve Ushtria e Kosovës të punojë me kapacitetet operacionale në qëllimin e saj që është për vetëmbrojtje”, ka thënë Islami për FaktePlus.
58 milionë euro ka qenë buxheti për FSK-në këtë vit, ndërsa vetëm 3 milionë më i madh pritet të jetë vitin tjetër. E për Islamin ky buxhet është simbolik, kurse edhe po të katërfishohet apo të pesëfishohet, nuk do të ishte e mjaftueshme.
“Buxhetet e ndara deri më tash mendoj që kanë qenë simbolike. E di që secila qeveri në botë, një pjesë të madhe të buxhetit e çon për modernizimin e ushtrisë së vet, mbrojtje dhe vetëmbrojtje. Mendoj që edhe po të katërfishohej apo pesëfishohej buxheti që është për ushtri edhe nuk do ta bënim atë siç duhet, për shkak të dihet që ish FSK-ja dihet çfarë karakteri ka pasur, tash ka karakter luftarak dhe duhet që të investohet e kur dihet që vendet e rajonit e sidomos armiku nr.1 i Kosovës, Serbia, është duke u forcu ushtarakisht e duke i blerë armatimet më të sofistikuara”, ka thënë Islami.
Sipas tij, investimi kryesor duhet të bëhet në kapacitete njerëzore e në ngritjen e profesionalizmit të tyre, e tek pastaj vjen investimi në armatim.
“Ushtria e Kosovës duhet që në një kohë sa më të shkurtër të punojë në arritjen e kapaciteteve në burimet njerëzore, pra të investojë në oficerë e nënoficerë që të jenë të gatshëm për përdorimin e kapaciteteve ushtarake. Kjo është e para, pastaj sa i përket armatimit duhet të orientohemi në armatimin konvencional sipas standardeve ndërkombëtare”, ka potencuar Islami.
Njohësi tjetër i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, shprehet skeptik se faza e transformimit mund të përfundojë brenda katër vitesh, ashtu siç u tha nga politikanë gjatë fushatës zgjedhore.
Sipas tij, transformimi në Ushtri më së miri mund të përfundojë në pesë vite, por për këtë duhet të ngritët kapaciteti buxhetor e njerëzor, duke u rritur pjesa aktive dhe ajo rezervë.
“Unë pres që Qeveria e re do të ndryshojë qasjen ndaj Ushtrisë që këtë proces ta përshpejtojnë në krahasim me periudhën 10-vjeçare të transformimit që realisht veç ka nis. Nëse parashihet që kjo periudhë të zgjasë më pak, atëherë duhet të ngritën edhe kapacitetet buxhetore në krahasim me buxhetin që është i shpërndarë për 10 vite dhe kjo është problem në vete. Në këtë fazë të transformimit duhet t’i jepet mundësia rekrutimit dhe seleksionimit të kuadrove njerëzore për të gjitha nivelet që kërkohen, duhet të bëhet plotësimi i nevojave kadrovike. Duhet të dyfishohet numri i pjesëtarëve aktivë nga 2500 në 5000 kurse numri 800 i pjesëtarëve rezervë të rritet në 3000”.
Ai ka deklaruar se Kosova duhet po ashtu ta rrisë bashkëpunimin rajonal, të bëhet anëtare me të drejta të plota e Kartës së Adriatikut e jo vetëm vëzhguese, e të hyjë në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s.
“Kosova duhet të bëhet anëtare me të drejta të plota e Kartës së Adriatikut e të hyjë në Programin e Partneritetit për Paqe. Duhet të bëhen trajnime sipas standardeve ndërkombëtare për ushtarakët e të gjitha niveleve, pastaj të investohet në armatim e municione”, ka deklaruar Ibishi.
Sipas tij, Qeveria e re së bashku me komandantin duhet të diskutojnë se në çfarë periudhe duan ta përfundojnë transformimin dhe në bazë të kësaj edhe ta ndajnë buxhetin.
“Komandanti i FSK-së me stafin politik e ministrinë do të mundohen të shkojnë krahas asaj që është parapa në program, por duhet që edhe Qeveria e re t’i paraqesë prioritetet për këtë transformim; A do të duhet që kjo të kryhet sipas asaj që është paraparë nga rishikimi i sektorit të sigurisë pra, në tri faza të parapara në 10 vite apo kjo do të bëhet në një afat më të shkurtë, në 4 apo 5 vite”, ka thënë Ibishi për FaktePlus.
FaktePlus ka kërkuar të dhëna edhe nga Ministria e Mbrojtjes lidhur me ecurinë e transformimit dhe aspektin buxhetor, por të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje konkrete, duke u përgjigjur se ato mund të gjenden në uebfaqen e ministrisë dhe legjislacionin që e rregullon misionin e FSK-së.
Më 14 dhjetor të vitit që lamë pas, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës që i hapën rrugë transformimit të FSK-së në Ushtri.
Ky hap u përkrah nga ambasada amerikane kurse jo edhe nga NATO, të cilët u patën shprehur se transformimi po ndodh në kohë të papërshtatshme. Sivjet ka ndodhur edhe rekrutimi i parë ku janë pranuar 650 rekrutë të rinj në FSK. Ndërsa, deri në fund të procesit të rekrutimit FSK-ja pritet t’i ketë 8000 ushtarë: 5000 aktivë dhe 3000 rezervë./FaktePlus