I ruajti 25 vite këpucët që me to të kthehet në Kosovë
Ka jetuar për një çerek shekulli në Gjermani. Por, synimi i tij gjithmonë ka qenë që të kthehet një ditë në Kosovë dhe të punojë për vendin e tij e për të mirën e qytetarëve të saj.
E, një palë këpucë me të cilat ka shkuar në Gjermani në vitin 1993, ka arritur që t’i ruaj për 25 vite.
Bëhet fjalë për kandidatin për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Bekim Brestovci.
Në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Brestovci ka rrëfyer me emocione rastin e këtyre këpucëve, duke thënë se kur është nisur për në Gjermani, këpucët që i ka mbathur i ka quajtur “këpucë të ikjes”.
Derisa, ka shpjeguar që me rastin e kthimit në Kosovë këtyre këpucëve ua ka vënë emrin “këpucët e kthimit”.
“Të ju them të drejtën unë jam kthyer prej Gjermanisë më tepër për çështje familjare, ka qenë një dëshirë e imja e kahmotshme që t’i kthehem vendit përsëri, është edhe një detaj shumë interesant ndoshta për shikuesit e juaj që unë me këpucët e mia të cilat kam ikur para 25 viteve të cilat i kam quajtur në atë kohë “këpucët e ikjes”, jam kthyer me të njëjta këpucë duke i shndërruar në “këpucë të kthimit”, gjë që flet se unë prej ikjes sime deri në kthimin tim gjithmonë kam synuar që një ditë t’i kthehem vendit’, ka thënë ai./FaktePlus/