I qorton për mosvendosje të maskës në autobus, rusi theret për vdekje
Një udhëtar në Shën Petersburg të Rusisë është gjetur i vdekur pas një grindjeje në autobus me dy udhëtarë tjerë, të cilët kishin refuzuar të vendosnin maska për t’u mbrojtur nga koronavirusit.
Nga pamjet e publikuara nga kamera brenda autobusit shihet se viktima ishte grindur me një burrë dhe një grua që ishin të ulur përballë tij në lidhje me mosvendosjen e maskave nga këta të fundit, shkruan Reuters.
Kritikat e tij më pas e nxitën burrin e ulur përballë që të ngrihet në këmbë dhe t’i bërtasë me zë të lartë kritikuesit. Viktima e dyshuar më pas shihet duke e grushtuar burrin pa maskë dhe duke ikur. Në pamje shihet se burri pa maskë i vihet pas atij që e kritikoi.
Trupi i viktimës, i identifikuar nga agjencia Interfax si një burrë 53 vjeç nga periferia e Shën Petersburgut, u gjet me një plagë në shpinë të martën në mbrëmje. Një ditë më vonë, policia arrestoi dy persona për këtë rast.
Udhëtarët në Shën Petersburg dhe në shumë qytete tjera janë të obliguar që të përdorin maska dhe doreza në transportin publik. Sidoqoftë, në praktikë, këto rregullat nuk zbatohen prerazi.
Me më shumë se dy milionë persona të infektuar me virusin SARS-CoV-2, Rusia ndodhet në vendin e pestë në botë me më së shumti raste. Para saj në këtë listë janë Shtetet e Bashkuara, India, Brazili dhe Franca.