I mori 135 mijë euro përmes mashtrimit, 30 vjeçari nga Kosova: I investova në kriptomonedha
Me preteksin se i kanë bllokuar llogaritë bankare në Zvicër, 30 vjeçari nga Kosova, Qerim Krasniqi ka futur në ‘grackë’, pronaren e një hoteli në Tiranë, për t’i marrë më pas shumë të konsiderueshme parash, duke i premtuar se do ia kthejë të gjitha njëherësh.
Gazetarja Anila Hoxha ka siguruar për Top Channel, dosjen hetimore të 30 vjeçarit nga Kosova i vënën tashmë në pranga për mashtrim. Në dosje thuhet se Krasniqi ka qëndruar për një kohë të gjatë në hotelin e gruas nga Tirana, ata krijuan një lidhje të ngushtë miqësore, dhe gruaja thotë se e është përkujdesur për të edhe gjatë pandemisë, pasi u prek nga Covid 19.
“Në muajin gusht ky shtetas, i ka kërkuar kallëzues në formë borxhi një shumë prej 50 mijë euro me justifikimin se i kishin bllokuar llogaritë bankarë në Zvicër dhe është lutur që ta ndihmonte, shumë të cilën kallëzueja ia ka dhënë. Qerim Krasniqi i ka kërkuar sërish shuma të ndryshme monetare në vlerat 28 mijë euro, 20 mijë euro si edhe një shumë prej 6 mijë euro. Sipas kallëzueses shumë totale arrin në vlerën e 135 mijë euro. Kallëzuesja i ka kërkuar 30 vjeçarit ti kthejë lekët, por ai i ka thënë se do ia kthente të gjithë shumën bashkë, pasi së shpejti do i hapej llogaria bankare” thuhet në dosjen hetimore. Pronarja e hotelit thotë se komunikimet kanë vijuar për një kohë të gjatë me 30 vjeçarin nga Kosova, ndërsa në dhjetor ai ka ndërprerë çdo lloj komunikimi.
30-vjeçari nga Kosova u ndalua të premten e kaluar, ku është marrë në pyetje teksa tentonte të hynte në Shqipëri. Ai ka pohuar se i ka marrë një shumë prej 85 000-87000 euro gruas në fjalë dhe se këtë shumë e ka investuar në bursë (FOREX). Ai thotë se investimin e ka kryer te një shtetas nga Maqedonia e Veriut të cilin e njeh me emrin Rinor.
Në dëshminë e tij ai ka rrëfyer se i ka marrë edhe një shumë të konsiderueshme parash një mjekeje.
“ Gjithashtu është shprehur se i ka marrë një doktoreshe me emrin Imelda një shumë prej 500 eurosh pasi isha në kushte të vështira ekonomike dhe nuk ia kam kthyer këtë shumë monetare” thuhet në dosjen hetimore.