“I mbylla gojën me duart e mia, ngjarjen e inskenova sa më të besueshme”, dëshmia e grekut që vrau gruan
Charalambos Anagnostopoulos, piloti 32-vjeçar në Greqi, ka pranuar vrasjen e gruas së tij Karolina 20 vjeç. Krimi i rëndë ndodhi më 11 Maj në banesën e çiftit. 32-vjeçari u arrestua sot pas mesditës. Ndërsa së fundmi, Policia greke ka postuar në Twitter një reagim zyrtar ku njofton se ngjarja u zbardh, 32-vjeçari ka pranuar vrasjen e gruas së tij.
Rrëfimi
Pas më shumë se 8 orësh marrje në pyetje, ai rrëfeu para hetuesve se është vrasësi i gruas së tij, me të cilën ka një vajzë 1 vjeç. Krimi, tha ai, ndodhi për shkak të mosmarrëveshjeve që kishin si çift.
“Mbrëmjen e 11 Majit kemi patur një sherr tjetër. Ajo më nxori nga shtrati dhe e pashë që po largohej për ta vendosur foshnjen në djep. M’u errësuan sytë dhe ndërsa ajo ishte duke bërtitur, shkova dhe i mbylla gojën me duart e mia. Kur kuptova që kishte vdekur, u përpoqa të mbuloja ngjarjen sepse është edhe një foshnje 11-muajshe. Nuk kisha asnjë bashkëpunëtor, gjithçka e bëra vetë dhe u mundova ta bëja sa më të besueshme”.
Kjo është dëshmia që ka dhënë në polici burri vrasës në Greqi, Babis Anagnostopoulos, i cili akuzohet për vrasjen e gruas së tij 20-vjeçare Karolina, ngjarje e ndodhur më 11 Maj në shtetin fqinj.Pas 8 orësh marrje në pyetje, piloti 32-vjeçar pranoi të gjithë krimin pasi u detyrua për shkak të provave që hetuesit grekë i vunë në dispozicion.
Kanë qenë dy oficerë të policisë greke që qëndruan për plot 8 orë në dhomën e marrjes në pyetje duke bërë që 32-vjeçari “të thyhej” dhe të pranonte krimin e tmerrshëm. Ai tha se kishte frikë që 20-vjeçarja do ta linte dhe se martesa e tyre nuk po funksiononte. Provat e policisë greke ishin të pakundërshtueshme. Babis Anagnostopoulos kishte ngritur alibinë se gruaja e tij u vra nga grabitësit që hynë në shtëpinë e tyre.
Sipas dëshmisë që kishte dhënë në fillim, ai ishte lidhur nga autorët dhe kishte humbur ndjenjat. Kur ishte përmendur kishte parë gruan të vdekur dhe pranë trupit të saj qëndronte zgjuar foshnja e tyre 11-muajshe.
Madje ai kishte thënë se njëri prej grabitësve ishte shqiptar sepse e kishte dëgjuar të fliste gjuhën shqipe.
Por e gjithë kjo ka qenë një sajesë e tij. Nuk ka patur asnjë grabitje. Vetë ai rrëfeu vrasjen e gruas së tij 20-vjeçare me origjinë britanike.
7 provat që e gozhduan
Së pari, në kohën që 32-vjeçari kishte deklaruar se ka qenë i lidhur nga grabitësit kishte kryer biseda telefonike me familjarët e tij.
Së dyti, në kohën kur ai kishte thënë se ishte në gjumë, para mbërritjes së grabitësve në shtëpi, aplikacioni i Fitness që kishte shkarkuar për matur hapat dhe kaloritë që digjte gjatë ditës, kishte treguar se kishte qenë në lëvizje.
Së treti, ora biometrike e 20-vjeçares tregoi orën reale të vdekjes së saj, kohë e cila nuk përkon me atë të dhënë nga bashkëshorti i saj në dëshmi. Ora e telefonit celular ka regjistruar impulset e të resë, në kohën kur 32-vjeçari është shprehur se ajo është mbytur nga grabitësit.
Së katërti, 32-vjeçari nuk ka qenë bindës në deklaratën që ka dhënë për mënyrën si arriti të lirohej nga litarët me të cilët e kishin lidhur grabitësit për të telefonuar policinë.
Së pesti, sipas rezultateve të analizës teknike në regjistruesin e kamerës ka një mospërputhje. 32-vjeçari ka dhënë një kohë specifike për orën kur grabitësit largohen nga shtëpia. Rezulton se karta ishte hequr 4 ose 5 orë, para kohës së pretenduar nga 32-vjeçari për momentin e hyrjes së grabitësve në shtëpi. Së gjashti, nga hetimet ka rezultuar se ka pasur një shkëmbim mesazhesh mes çiftit, të cilat tregojnë se në orët e mesnatës, ata kishin pasur një debat dhe Caroline i ka shkruar të shoqit: Budalla.
Së shtati, piloti pretendon se humbi ndjenjat për të paktën një orë. Por hetuesit thonë se nëse kjo gjendje do kishte zgjatur kaq shumë, atëherë ai do kishte dëmtime të trurit ose mund të humbte jetën. Atëherë lind pyetja se si u rikuperua ai pa probleme serioze për jetën dhe si është e mundur që ai të ishte i qartë teksa ishte pa ndjenja për aq shumë kohë.