I kam vetëm dy fjalë për një libër që flet shumë
Veprat letrare hapin kontekste të shumëta përmes fjalëve të pakta. Por, në anën tjetër është pikërisht poezia, e cila me pak fjalë mund të nënkuptojë shumë. Këtë herë vepra poetike “I kam edhe dy fjalë” e Lulzim Tafës, ma argumentoi pikërisht këtë.
I kam vetëm dy fjalë për veprën poetike “I kam edhe dy fjalë” të autorit Lulzim Tafa. Poeti Tafa njëherësh është autor edhe i disa librave të tjerë poetik.
Kushdo që e merr librin e tij në dorë qysh në titull takohet me të pazakontën. Kjo pasi përveç titull i pazakontë, duket edhe i thjeshtë në shikim të parë, por del të jetë më shumë se aq. T’i thuash lexuesit, mikut e armikut “Vetëm edhe dy fjalë”, më shumë se për sasinë e fjalëve, theksi qëndron tek rëndësia e tyre.
Të thuash “Vetëm edhe dy fjalë”, nuk do të thotë se ke pak fjalë, por do të thotë që ke fjalë të rëndësishme për të thënë. Zakonisht, këto janë fjalët e fundit rreth një çështjeje. Në zhargonin popullor të thuash “veç edhe dy fjalë”, nënkupton se do t’i thuash fjalët kryesore nga ai grumbulli i madh që e ke përbrenda vetes dhe njëkohësisht ato fjalë, do të jenë fjalë përmbyllëse. Kështu ia bën edhe autori Lulzim Tafa. Ai qysh në titull e parapërgatit lexuesin e tij për një lexim mirëfilli pasi poezia e tij është konotative, me plot figura dhe që raste – raste do dekodim për ta kuptuar.
Çështja themelore me të cilën preokupohet Lulzim Tafa në këtë vepër është lufta. Rrjedhimisht, shumë nga poezitë e tij janë poezi lufte të shkruara nga këndi i të dobëtit. Nga pikëvështrimi i atij që i takon liria, që fizikisht është i ligë, por moralisht qëndron fort, pasi e di që e drejta është në anën e tij. Autori është në luftë. Është njëri nga ata që po luftohen, e jo ai që po lufton, por që nuk e di qëllimin pse po luftohet kombi i tij. Andaj, autori përmes vargut kërkon takim me vrasësit që t’i pyes “Pse na kanë vrarë?”.
Autori nuk do hakmarrje pasi praktikisht ai nuk do që të bëhet sikur armiku. Pse na kanë vrarë, më shumë se pyetje është përgjigje e cila tregon pafajësinë tonë në luftë, shpërfaq armikun përbindësh përballë nesh dhe luftën absurde që u zhvillua.
Gjuha poetike e Tafës në shikim të parë mund të duket gjuhë e thjeshtë dhe me raste përshkruese, por realisht është gjuhë figurative e shkruar me një stil të hollë. Poezia s’duhet të ketë shumë folje, thoshte Ali Podrimja, sepse ajo s’duhet të tregojë. Pasi poezia s’është e autorit, poezia është e lexuesit dhe si e tillë i takon pikërisht lexuesit ta lexojë dhe ta interpretojë pastaj. E tillë është edhe poezia e Tafës, që mbizotërohet nga metafora, kjo figurë tipike për poezinë.
Poezia e Tafës përveçse thirrje, është edhe protestë. Protestë ndaj secilit e secilës, protestë kundër armikut, por mbi të gjitha kundër vetë jetës.
“Ditë e nesërme na sill diçka të re
Se me të vjetrën u përgjakëm”
(Kohët)
Në këto vargje të Tafës e nesërmja është e ardhmja afatgjatë, kurse e reja është paqja aq shumë e munguar. Ai ëndërron një të ardhme ku paqja ndërfqinjësore dhe liria e popullit do të jenë permanente për të dhe popullin të cilit i takon. E vjetra është e përgjakur sepse ishte luftë. Kishin kaluar shekuj e mileniume dhe lufta s’na ndahej nga pragu, kurse liria e paqja janë të reja sepse s’kanë qenë kurrë në mes nesh të plota.
Kjo lutje nëpërmjet poezisë i plotësohet Tafës, por jo siç e ka pritur. Kjo pasi ai revoltohet edhe me politikanët pushtetarë të pasluftës në poezinë “Parodi e zezë”. Aty ai ironizon me ta duke përdorur dy figura mitologjike, Mujin dhe Halilin dhe thotë ‘zbritur u kanë kuajve dhe hipur janë në xhipa të zi’, satira këtu është kulminante pasi i shpërfaq lakuriq keqpërdoruesit e luftës.
E vjetra dhe e reja tek Tafa nuk e kanë kuptimin e ballafaqimit të traditës me civilizimin e ri. Kjo rëndom ka ndodhur në letërsinë shqipe. Tek Tafa ky ballafaqim është më shumë në krah të së vjetrës në kuptimin historik, me ëndrrën e cila për realitetin e të ardhmes mund të jetë hipotetike. Këtu e reja është ëndërr e poetit për të nesërmen që në fund del të jetë utopi e llojit të vet, pasi paslufta nuk sjell diçka aq të re sa të mos ketë fare hapësirë për erën e të vjetrës së përgjakur.
Autori Tafa e ka talentin që me pak fjalë të thotë shumë dhe të rrëfejë një histori të tërë:
“Në Kosovë atë ditë
U shtrenjtua buka
Vaji
Mielli
Sall jetës i ra
Çmimi”
(Atmosferë lufte)
Tafa përshkruan luftën duke e realizuar përplasjen e të kundërtave atëherë kur realiteti ndryshon. Dhe pikërisht kur realiteti ndryshon e pakontestueshmja kontestohet, e vlefshmja zhvlerësohet. Kjo poezi e Tafës del të jetë konkrete dhe universale njëkohësisht. Ka kronos dhe topos të përcaktuar, por i tejkalon ato dhe universalizohet më pas. Koha dhe hapësira janë të përcaktuara. Pra, është Kosova gjatë luftës në vitet ’98 – ’99. Por, poezia merr përmasa universale në kuptimin e humbjes së vlerës së jetës së njeriut në raste të tilla të jashtëzakonshme siç ndodhi së voni në Kosovë me rastin e virusit Covid – 19, kur çdo gjëje materiale iu ngrit çmimi, përveç jetës së njeriut që i ra, pasi kishte vdekje të përditshme në spitalet tona. Në këtë kontekst poezia merr përmasa tejkohore dhe kjo është madhështia e poezisë.
Buka, si nevojë elementare për trupin del edhe më vonë tek poeti dhe bëhet preokupim i tij:
“A kanë bukë
Për sonte more
Barot për nesër”
(Luftëtarët)
Pra, preokupimi i poetit është për ushtarin së pari dhe për lirinë së dyti pasi e dyta vështirë që vjen pa të parin. Ushtarit i duhet buka si nevojë e patjetërsueshme për një fizik luftarak. Por, patjetër ushtrisë i duhet edhe baroti pasi pa të në luftë, liria është vetëm iluzion, sidomos në rastet e tilla kur armiku është i pamëshirshëm.
Poezia e Tafës është poezi e dy poleve që në vetvete janë të kundërta: në njërën anë është poezi e vuajtjes dhe e dobësisë. Kurse në anën tjetër, është poezi e moralit të lartë dhe idealit, ku përfundimisht e dyta e mposhtë të parën.
Për autorin rëndësi të veçantë ka edhe e diela si një ditë pushimi. Kjo e fundit tek Tafa del të jetë pushim i gjatë që me raste konoton me vdekjen. Por, poetët si Tafa s’kanë të diel sepse arti nuk e lejon të dielën për ta.
Ashtu si dy fjalët e mia për këtë tekst, po kaq pafund të interpretueshme janë edhe poezitë e Tafës në këtë vepër. Pra, autori Tafa jep shumë përmes veprës së tij, duke i trajtuar temat ndonëse të kaluara në kontekstin e konkretes kohore por aktuale në kontekstin e universales e cila gjendet përbrenda tekstit.