I ftuari nga Specialja: Do të paraqitem për të treguar që s’jemi kriminelë, por çlirimtarë
Gjykata Speciale me të filluar ky vit po vazhdon me dërgimin e ftesave të reja për ish- luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I ftuari i radhës është edhe ish- ushtari i UÇK-së, Ramiz Kukaj nga Korisha e Prizrenit, që është edhe vëlla i dëshmorit Rexhep Kukaj, shkruan FaktePlus.
Kjo u bë e ditur fillimisht nga familjarët e Kukajt, të cilët treguan se i njëjti do të paraqitet dhe do të intervistohet më 5 shkurt në Prishtinë.
E vetë Kukaj, në një prononcim për FaktePlus tha se ka pritur që herët a vonë që do të ftohet nga Specialja, pasi thotë se secili ushtar pret ftesë nga kjo e fundit.
“Prej se është miratuar Ligji për Gjykatën Speciale ftesën e presim secili ushtar i UÇK-së edhe e mirëpresim”, ka thënë Kukaj.
Ai, thotë se pavarësisht që UÇK-ja ka bërë luftë të pastër është i gatshëm që të paraqitet për intervistim sa herë që do të ftohet.
“Po unë do të shkoj dhe do të paraqitem për intervistim. Sa herë që do të më ftojnë unë do të shkoj dhe do të paraqitem. E, këtë do ta bëj që me mbrojt vetveten, luftën e shenjtë të UÇK-së e të vëllait që e kam dëshmor. Kemi bërë luftë të pastër, as nuk kemi pre fëmijë, as nuk kemi pre gra, as nuk kemi pre pleq, as nuk kemi djeg shtëpia, as nuk kemi luftu për territore, por kemi luftuar për lirinë e popullit tonë e që jam në gjendje me luftu kur do që ka nevojë”, ka thënë Kukaj, për FaktePlus.
Kukaj, thotë se edhe pse janë bërë 20 vite që ka përfunduar lufta ish- ushtarët e UÇK-së, vazhdojnë të quhen kriminelë.
Thotë se do të shkojë për intervistim me shumë dëshirë që të iu tregoj të gjithëve që ish- ushtarët e UÇK-së, nuk kanë qenë kriminel por kanë qenë çlirimtarë.
“Ne do ta tregojmë luftën tonë që ka qenë luftë e pastër jo si na kanë quajtur. Ka 20 vjet që na kanë thënë kriminel, kriminel e kriminel. Shumë me dëshirë shkoj që me tregu edhe shqiptarëve që ne s’kemi qenë kriminelë, por kemi qenë çlirimtarë”.
Ndryshe, deri më tani, janë rreth 250 persona të cilët janë ftuar nga Dhomat e Specializuara për t’u intervistuar në Hagë.
Sipas kryetarit të OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, interesimi më i madh i prokurorëve të Dhomave të Specializuara ndërlidhet me veprimtarinë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar e Kosovës me seli në Hagë, që kanë mandat dhe juridiksion për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë, kanë dhënë sinjalet e para se shpejt mund të fillojnë me ngritjen e aktakuzave.
Kjo për shkak se ky institucion ka hapur një konkurs, përmes së cilës kërkojnë 33 punonjës administrativë, zyrtarë ligjorë dhe përkthyes.
Më 3 gusht të vitit 2015, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ndryshimet Kushtetuese që i hapën rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, e cila do të merret me krimet e luftës së fundit në vend.
Pro themelimit të Speciales kishin votuar 82 deputetë, pesë ishin kundër dhe një kishte abstenuar.
Këtë Gjykatë nuk e kishin votuar deputetët e AAK-së, të Nisma-s, AKR-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje./FaktePlus