I dyshuari për sulmin në xhaminë në Oslo del i mavijosur para gjykatës
I riu që akuzohet se kreu sulmin të shtunën (10 gusht 2019) në një xhami në Oslo të Norvegjisë, u shfaq ditën e sotme në Gjykatë me shenja në fytyrë dhe në qafë.
Një gjykatës i dha lejen policisë që të mbajnë 21-vjeçarin Philip Manshaus në paraburgim për katër javë fillimisht derisa ai të hetohet për vrasje dhe shkelje të ligjit anti-terror, thuhet në vendimin e gjykatës, raporton Reuters.
Teksa hyri në sallën e gjyqit, Manshaus, i cili u buzëqeshi fotografëve, nuk pranoi asnjë krim.
Si pasojë e sulmit, një person 75-vjeçar është plagosur, ndërsa pak më vonë në një shtëpi pranë xhamisë u gjet e vdekur një grua, që raportohet të jetë gjysmë-motra e tij.
Sipas dëshmitarëve okularë, Manshaus hyri në Qendrën Islamike al-Nour me më shumë se një armë zjarri, por u ndalua nga një anëtar i xhamisë. Një burrë 65-vjeçar, anëtar i xhamisë, arriti ta kapte atë dhe në përleshje e sipër t’ia largonte armët.
Manshaus nuk foli për aq kohë sa gazetarët ishin të pranishëm, por ndonjëherë u buzëqeshi. Ai po ashtu ka thënë se nuk do të flasë as me policinë.