I dyshuari e pranon se kishte për qëllim të sulmonte zyrat e Charlie Hebdo
I dyshuari kryesor për sulmin me thikë ku u plagosën dy persona jashtë ish-zyrave të Charlie Hebdo në Paris, e ka pranuar përgjegjësinë për aktin e kryer.
Sipas AFP, 18 vjeçari e ka pranuar se po synonte të sulmonte zyrat e Charlie Hebdo, duke shtuar se besonte që ambientet e shënjestruara ishin akoma ato të revistës, shkruan Euronews.
Si pasojë e këtij sulmi që u zhvillua të premten, një djalë dhe një vajzë e re – punonjës të kompanisë së prodhimit “Premières Lignes”, kanë pësuar lëndime trupore.
Kujtojmë se zyrat në fjalë ishin cak i sulmit vdekjeprurës të vitit 2015 të orkestruar nga vëllezërit Kouachi të cilët vranë 12 persona dhe plagosën 11 të tjerë.