I akuzuari pranon se kishte kanosur me sëpatë gruan dhe fëmijët e tij
I akuzuari për veprat penale “lëndim i lehtë trupor” dhe “kanosjes”, Gustin Prenkaj, është deklaruar fajtor, në seancën fillestare të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja, Mone Syla, i akuzuari Prenkaj tha se e pranon fajësinë për të dy veprat penale me të cilën ngarkohet, duke shtuar se është penduar për rastin që ka ndodhur.
“Fajtor jam dhe e pranoj fajësinë. Dhe ju kam kërku falje”, deklaroi i akuzuari.
Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e kanë kundërshtuar prokurorja Syla dhe mbrojtësi i viktimave, Agim Pula.
Ndërsa, të dëmtuarit Drita Nreja, Zojë Prenkaj dhe Elvis Prenkaj thanë se ia kanë falur babait të tyre atë që ka ndodhur dhe se që nga ai rast e tutje raportet i kanë të mira.
Gjykatësja Besarta Doli, pasi që e aprovoi pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, tha se shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 25 shtator.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Gustin Prenkaj po ngarkohet me veprat penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale “kanosje” nga neni 181 paragrafi 4-1 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, më 20 qershor 2020, rreth orës 19:00, në fshatin Moglicë të Gjakovës, pikërisht në shtëpinë e tij duke e përdorur forcën i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore vajzës së tij, të dëmtuarës, Drita Nreja.
Tutje në aktakuzë thuhet se ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme mes të akuzuarit dhe familjarëve të tij, ditën kritike derisa i akuzuari po kthehej në shtëpi me vajzën dhe bashkëshorten, pas një mosmarrëveshje të dëmtaren e kap për fyti duke e shtrënguar, deri në atë moment ndërhynë djali i tij Elvis Prenkaj duke e larguar të akuzuarin nga e dëmtuara, me ç’rast të dëmtuarës i shkakton lëndime të lehta trupore të përshkruar si në eksperizën mjeko-ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës, me datë kohë dhe vend të njëjtë si më lartë me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit i ka kanosur seriozisht bashkëshorten e tij Zojë Prenkaj dhe fëmijët e tij Drita Nreja dhe Elvis Prenkaj, në atë mënyrë që pas mosmarrëveshjes dhe sulmit ndaj të dëmtuarës Drita të përshkruar si më lartë, i akuzuari iu drejtohet me fjalë fyese dhe pastaj merr sëpatën në dorë dhe ju drejtohet me fjalët kërcënuese “tani do të ju vras”, me çka tek të dëmtuarit ka shkaktuar frikë dhe ankth.