Hysenit i duket absurde që IKSHP të jap instruksione për mbajtjen e seancës për rrëzimin e Kurtit
IKSHP nuk është i thirrur të japë instruksione ose të marrë vendime nëse një organ legjislativ i vendit do të vazhdojë me punë ose jo.
Ish-ministri i Jashtëm nga radhët e LDK-së Skender Hyseni ka folur rreth seancës së jashtëzakonshme, data e së cilës pritet të caktohet nesër nga Kryesia e Kuvendit, për mocionin e mosbesimit për Qeverinë Kurti, pas prishjes së raporteve të koalicionit qeverisës për shkak të shkarkimit të ministrit Agim Veliu.
Duke folur për televizionin Dukagjini, Hyseni ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet ta bëjë punën e vet dhe i mbetet Kryesisë së Kuvendit të vendosë për procedurat e radhës, pas mbledhjes së më shumë se 40 nënshkrimeve për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme, pavarësisht se vendi po përballet me epideminë koronavirus.
“Para se të kërkohet mendim nga IKSHP, më mirë do të do të ishte të kërkoheshin instruksione mjekësore se si duhet të veprojë administrata e Kuvendit që të sigurojë kushte higjienike që seanca e Kuvendit të mbahet. IKSHP nuk është i thirrur të japë instruksione ose të marrë vendime nëse një organ legjislativ i vendit do të vazhdojë me punë ose jo. Kuvendi i Kosovës edhe në rrethana të pazakonta dhe emergjente duhet ta bëjë punën e vet. I mbetet Kryesisë së Kuvendit të Kosovës të vazhdojë më tej”, ka thënë Hyseni.
Ai ka folur edhe për hezitimet e mundshme të kryetares së Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani për të thirrur seancën e jashtëzakonshme për rrëzimin e Qeverisë Kurti, duke thënë se nuk beson në një gjë të tillë dhe se të gjitha të tjerat në këtë drejtim, sipas tij janë kryesisht spekulime.
“Nuk e besoj që Kryesia e Kuvendit dhe Vjosa Osmani nuk do ta bëjnë gjënë e duhur dhe atë që e thotë edhe Kushtetuta”, u shpreh Hyseni.