Hyseni: Roli i SHBA-së në dialog nuk zëvendësohet, lajm i mirë përfshirja e Gjermanisë e Francës
Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës në Qeverinë e Isa Mustafës, Skënder Hyseni ka thënë se në Samitin e Berlinit sipas të gjitha analizave, tema e prekjes së kufijve është larguar nga tavolina.
Hyseni, ka thënë se Samiti i Berlinit ka rëndësi të veçantë për Kosovën pasi Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron kanë marrë.
“Lajmi i mirë është që Gjermania dhe Franca kanë marrë rol substancial në dialog, por natyrisht që rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk e zëvendëson askush. Përfshirja e SHBA-ve në çdo fazë të dialogut me Serbinë, është e pazëvendësueshme”, tha Hyseni.
Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës ka thënë se Gjermania dhe Franca janë aleatë të fuqishëm të SHBA-vë dhe do t’i japin dialogut një dinamikë krejtësisht të re.“Takimi i paralajmëruar në Paris në fillim të korrikut do të tregojë një qartësi më të madhe se ka do të shkojë dialogu Kosovë-Serbi”, theksoi Hyseni për RTV Dukagjinin.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, ka thënë se meqë deklarata e lëshuar nga kabineti i zonjës Merkel për Samitin e Berlinit duhet të ketë qenë e dakorduar nga dy liderët, i jep fund prekjes së kufijve në Ballkan.
“Kam përshtypjen se çështja e prekjes së kufijve është hequr nga tavolina, edhe pse jo plotësisht, por në masë të madhe është larguar ndonjë vizatim i ri i kufijve në vija etnike”.
Hyseni thotë se ai vazhdimisht ka thënë se prekja e kufijve të Kosovës do të prodhonte efekte zinxhirore në Ballkan.
“Sa herë luhet me kufijtë në Ballkan është rrezik. Kosova pos që duhet të jetë e përgjegjshme për politikat e veta të brendshme, duhet të jetë e përgjegjshme edhe për refleksionet që mund të kenë veprimet e caktuara në rajon dhe Evropë”, tha ndër të tjera Skender Hyseni. /FaktePlus