Hyseni: Mustafa e luti Kurtin ta heqë tarifën pa kushtëzime
Skender Hyseni, anëtar i kryesisë në Lidhjen Demokratike të Kosovës i është referuar në DESK të KTV-së takimit që ka pasur në Washington me përfaqësuesit amerikanë.
“Të njëjtën ditë, kryetari Mustafa ka pasur një takim të gjatë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtit. Ia ka transmetuar besnikërisht kërkesat eksplicite të Shtëpisë së Bardhë, përkatësisht presidentit Trump”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se me këtë rast, kryetari Mustafa “e ka lutur kryeministrin Kurti që kërkesë eksplicite e SHBA-së është heqja e tarifës pa kushtëzime, pa reciprocitet”.
Hyseni ka bërë të ditur se në Washington, si përfaqësues i LDK-së ka insistuar në Shtëpinë e Bardhë që sa i përket reciprocitetit “ne do të bëjmë një listë me një varg masash reciprociteti, që do të ndërmerren varësisht nga sjellja e Serbisë”.
“Pra, heqja e tarifës do të ishte e kushtëzuar me vendosjen e masave të reciprocitetit. I vetmi dallim do të ishte që ato masa do të vendoseshin në koordinim me SHBA-në”, ka thënë ai.
Hyseni ka thënë se kërkesat zyrtarë të SHBA-së rreth heqjes së reciprocitetit janë shtruar vetëm pas themelimit të Qeverisë.
Hyseni ka folur në DESK edhe rreth paralajmërimit të LVV-së për ta dërguar në Kushtetuese.
“Sa i përket Interpretimit të Kushtetutës, gjëja më e shëndetshme është që atë t’ia lëmë vetë Gjykatës Kushtetuese dhe ajo jo domosdoshmërisht është e obliguar që ta interpretojë secilën kërkesë. Kështu, ajo e vlerëson vetë nëse duhet dhënë mendim”, ka thënë Hyseni, njëri nga hartuesit.