Hyseni mesazh Kurtit për reciprocitet: Të analizohet mirë një veprim i tillë
Kryeministri Albin Kurti por edhe LDK vazhdimisht po deklarohen ‘pro’ heqjes së taksës për ta zëvendësuar me reciprocitet.
Skënder Hyseni nga LDK-ja thotë se nuk duhet të bëhen veprime të njëanshme dhe se taksa duhet të hiqet me kushte e zotime te caktuara e të garantuara ndërkombëtarisht nga ana e Serbisë por edhe me bashkëpunim me gjithë spektrin politik.
Hyseni ka deklaruar se duhet të ketë qartësi, sepse shton se reciprociteti i plotë shkon deri te njohja e pasaportave e tagrave të veturave të Kosovë nga Serbia që do të thotë njohje e shtetit tone.
“Qëndrimi im për taksën është i njohur botërisht. E kam përkrah fuqimisht taksën kur është vendos, karshi agresivitetit të Serbisë në fushën ndërkombëtare. Taksa nuk është instrument i domosdoshëm, por nuk duhet të betonohet dhe doemos duhet të qëndroj ashtu si është. Duhet të veprosh konform situatave dhe kërkesa të reja, duhet të shqyrtohet seriozisht, duhet të ketë konsultime me gjithë spektrin politik, s’duhet të bëhen veprime të njëanshme”, ka deklaruar Hyseni në një intervistë për infokus.
Ai më tej ka thënë se ndërkombëtarët insistojnë në heqjen e taksës, por sipas tij kjo taksë duhet të hiqet me kushte e zotime të caktuara e të garantuara ndërkombëtarisht nga ana e Serbisë.
Hyseni për reciprocitetin i çon mesazh kryeministrit Kurtit duke thënë se duhet të analizohet një veprim eventual i tillë.
“Shpresoj të jetë analizuar mirë kjo, sepse bëhet fjalë për një periudhë zhvillimesh Kosovë-Serbi që kërkon qartësi të plotë edhe nga faktori ndërkombëtarë. Aplikimi i reciprocitetit të plotë, shkon deri te kushti i patejkalueshëm i njohjes reciproke, targave, pasaportave që është njohje e shtetit të Kosovës. Nëse kjo është periudha më adekuate, unë nuk jam shumë i sigurt, ndoshta përvoja ime me negociata nga Rambujeja më bën më të kujdesshëm. Duhet të analizohet, duhet të bëhet në harmonizim të ngushtë me SHBA dhe BE-në. Nuk besoj që hapat e njëanshëm i kontribuojnë proceseve të mëtejshme, duhet kujdes maksimal”, ka thënë Hyseni.