Hyn në fuqi Ligji, Kosova pa baste dhe kazino
Nga dita e sotme ka hyrë në fuqi Ligji që ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vjetët e ardhshëm në Kosovë. Kështu Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka nisur ditë më parë dhe po vazhdon me renovimin e licencave të këtyre bizneseve, me qëllim të zbatimit të Ligjit për ndalimin e lojërave të fatit.
Kazinove dhe qendrave të basteve sportive në Kosovë nga sot u vihet edhe zyrtarisht dryni. E veprimtaria po ashtu i është ndaluar edhe Lotarisë së Kosovës, e cila do të jetë e mbyllur deri në rregullimin me një ligj të veçantë, që pritet të bëhet së shpejti.
Mbyllja erdhi pasi institucionet inicuan miratimin e një ligji, të shtyrë pas dy vrasjeve që ndodhën gjatë muajit mars në lokalet ku ushtohej veprimtaria e lojërave të fatit.
Respektivisht brenda një jave një vrasje ndodhi në Suharekë dhe një tjetër në qytetin e Lipjanit.
Kështu pas këtyre vrasjeve që tronditën vendin e që nxitën shumë reagime u shpërfaq ideja për mbylljen e lojërave të fatit dhe u miratua Ligji që ndalon veprimtarinë e tyre, duke përfshirë këtu edhe Lotarinë e Kosovës.
Zyrtarë nga Kryeministria e Kosovës nuk kanë dashur ta komentojnë Ligjin në fjalë dhe përmbajtjen e tij.
Kjo me arsyen siç tha Haki Shaktri që mban pozitën e këshilltarit politik të kryeministrit, Ramush Haradinaj, pasi me përpilimin e ligjit merret Ministria e Financave.
“Ministria e Financave do ta bëjë ligjin, pastaj kur ta sjellë në Qeveri do të shohim se si është përpiluar. Pra, pasi ta marrim Ligjin për Lojërat e Fatit, atëhere do të mund ta komentojmë”, tha Hashtri.
S’ka bastore, kazino, as lotari
E zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se plotësimet që i janë bërë Ligjit në Komisionin për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, veprimtaria u ndalohet gjithë lojërave të fatit, duke përfshirë edhe Lotarinë e Kosovës.
“Ligji për Lojërat e Fatit është proceduar kohë më parë nga Qeveria në Kuvend, ku më këtë Ligj Llotarisë së Kosovës nuk ju ka hequr e drejta për të ushtruar veprimtarinë e saj. Ndërsa në Komisionin për Buxhet dhe Financa është bërë amendamentimi i Draftligjit i cili është dërguar nga Qeveria ku i ka ndaluar në përgjithësi të gjitha lojërat e fatit, duke përfshirë këtu edhe Lotarinë e Kosovës”, ka thënë Shahini.
Por, në Minsitrinë e Financave nuk kanë dhënë detaje për Ligjin e ri, dhe se a është paraparë të ndalohen edhe lojërat shpërblyese të bizneseve të ndryshme në Kosovë.
Mirëpo duket se kompanitë e bizneset e ndryshme do të mund të vazhdojnë lojërat shpërblyese për klientët e tyre.
Administrata Tatimore e Kosovës pati njoftuar se lojërat shpërblyese të kompanive do të vazhdojnë të lejohen edhe përkundër hyrjes në fuqi të ligjit për ndalimin e lojërave të fatit.
Kjo pasi që ky ligj sipas ATK-së, nuk i trajton lojërat shpërblyese si lojëra të fatit.
Sipas ATK-së, lojërat shpërblyese do të lejohen me kusht që të njëjtat mos të kenë kosto shtesë, shpërblimet mund të jepen në produkte, dhe para të gatshme duke mos tejkaluar shumën prej 1000 euro për person.
ATK poashtu njofton qytetarët se pas hyrjes në fuqi të Ligjit për ndalimin e Lojërave të Fatit, zyrtarët e saj nuk do të jenë pjesëmarrës në ngjarjet e lojërave shpërblyese.
Miliona të hyra nga tatimet e bizneseve të lojërave të fatit
Kazinotë dhe qendrat e basteve sportive, kanë qenë mjaft të frekuentuara nga një pjesë e qytetarëve. E nga to ka përftuar edhe shteti.
Të dhënat tregojnë se të hyrat nga tatimet e ndryshme të bizneseve të lojërave të fatit, siç janë tatimi në qira, tatimi në paga, si dhe tatimi në këstet tremujore të të hyrave, ka qenë më miliona.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, Administrata Tatimore e Kosovës ka mbledhur mbi 1 milion e 700 mijë euro nga gjobat ndaj këtyre bizneseve, për mosrespektim të Ligjit për lojërat e fatit.
Kurse 15 milionë e 874 mijë euro, është shuma totale e akcizës që kanë paguar bizneset e lojërave të fatit, gjatë vitit 2018.
Ndërsa, një vit më herët, më 2017, nga akciza për këto biznese në arkën e shtetit kanë shkuar 12 milionë e 479 mijë euro.
Mbyllen qindra lokale, mbesin mijëra punëtorë pa punë
Janë qindra lokale që janë mbyllur menjëherë pas inicimit për miratimin e Ligjit për mbylljen e lojërave të fatit. Aksionin për mbylljen e tyre e mori Policia e Kosovës, Dogana dhe ATK.
Ndërkohë që kryetari i Shoqatës së Lojërave të Fatit, Istref Veliu, pati deklaruar se nga mbyllja e këtyre lojërave të fatit do të mbesin pa punë mbi katër mijë punëtorë.
E kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj kishte deklaruar se do të bëhet një zgjidhje për këta punëtorë, por një gjë e tillë deri tani nuk është bërë. Madje nga Qeveria e Kosovës kanë deklaruar se nuk e kanë asnjë një plan konkret se çfarë do të ndodhë me punëtorët që mbetën pa punë./FaktePlus