Humolli: Sipas parashikimeve, në fund të prillit do të bie numri i rasteve me COVID-19
Isme Humolli, drejtoreshë e Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, ka thënë se nëse situata shkon sipas parashikimeve, në fund të këtij muaji do të bien rastet.
Sipas saj, në fillim të majit mund të zbuten masat dhe kufizimet e marra.
Ajo tutje ka shtuar se numri i rasteve varet krejtësisht nga njerëzit dhe masat të cilat ata i marrin për mbrojtje.
“Varet krejt nga ne, sa i respektojmë masat e rekomanduara. Rastet e para zyrtarisht janë paraqitur në dhjetor të 2019-ës. Asnjë epidemi nuk fillon përnjëherë, gjithmonë ka disa raste, disa muaj përpara. Në Kinë ka filluar më herët se sa është paraqitur zyrtarisht. Kina për shkak të sistemit që ka, ka shkuar në mënyrë radikale sa i përket masave. Sa shpejtë do t’i vie fundi varet prej nesh. Sa i përket projeksioneve tona ne jemi në fazën kritike. Në qoftëse shkojmë sipas parashikimeve, kah fundi i prillit rastet do të bien gradualisht dhe në fillim të majit kufizimet do të jenë më të lehta. Virusi dobësohet duke kaluar nga një person të tjetri”, ka thënë ajo.
Ajo tutje ka shtuar se duhet të rritet më shumë besimi i njerëzve në sistemin shëndetësorë në vend,
“Është mirë që t’iu kthehet dinjiteti i mjekeve gjithashtu edhe besimi i njerëzve në mjekësi. Sistemi duhet të jetë i mirëfilltë dhe ai të respektohet. Nuk mundet që një qytetar t’i besojë një sistemi shëndetësor kur një familjar për një sëmundje të lehtë shkon në Turqi për shërim. Duhet vetëm një riorganizim që sistemi të bie në vend”.