Humolli: Në dy javët e ardhshme, nuk pritet të ketë rënie të personave të infektuar me COVID-19
Isme Humolli, zyrtare për emergjenca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, ka thënë se nuk pritet të ketë rënie të numrit të personave të infektuar në Kosovë edhe në dy javët e ardhshme.
Humolli ka deklaruar se qytetarët duhet të mësohen të jetojnë me virus.
“Masat restriktive që janë aplikuar tani që të mos shkohet në lokale pas orës 21:00 është dashtë të aplikohen qysh në fillim. Edhe pse në dy javët e ardhshme nuk presim rënie të rasteve. COVID-19 është tu jetu me neve, nuk ka fillu në janar që të përfundojë në qershor”, u shpreh ajo.
Humolli thotë se situata me pandeminë COVID-19 do të zgjasë minimum edhe një vit e gjysmë.
Tutje ajo gjatë intervistës për Telegrafin theksoi se Kosova është në limitet e fundit të shërbimeve shëndetësore dhe se është një rrezik i lartë. “Nuk mund t’i kthehemi normalitetit, prej tash tutje duhet me u mësu që shtatori të na gjej më maska”, shtoi ajo.
Zyrtarja e OBSH-së, apeloi të qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë masat mbrojtëse ndaj virusit COVID-19.
Ndërkaq, numri total i rasteve pozitive në Kosovë është 3 mijë e 508, 1 mijë e 902 prej të infektuarve janë shëruar, kurse janë regjistruar edhe 75 raste të vdekjeve të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Aktualisht, në vendin tonë raste aktive janë 1 mijë e 531.