A kishte apo jo gjak në bananet e “Viva Fresh Store” – nisin hetimet
Pas raportimin në Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se në një market të “Viva Fresh Store” po dyshohet se është duke u shitur banane që në përbërje të saj kishte ngjyrë të kuqe, e për çka konsumatorët dyshonin se ishte gjak, kanë nisur hetimet e para. Inspektorët fitosanitar që veprojnë në kuadër të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV) i kanë marrë mostrat e para dhe analizat do të tregojnë se për çfarë bëhet fjalë.
Një qytetare nga Prishtina tri ditë më parë ka dërguar në redaksinë e FaktePlus disa fotografi me të cilat dëshmonte se “Viva Fresh Store” i ka shitur produkte të prishura.
Qytetarja (emër i njohur për redaksinë) tregon se mallin për të cilin dyshon se është i prishur e ka blerë në pikën e shitjes së “Viva Fresh Store” në lagjen Kalabria në Prishtinë.
Ajo thotë se është shokuar kur ka parë bananet që ka blerë në këtë kompani. Sipas saj, bananet kanë rezultuar me një material ngjyrë të kuqe, e për çka ajo dyshon se është gjak.
“Në fotografi shihet qartë se si në bananen ka ngjyrë të kuqe, e po ashtu shihet edhe sikur të jetë injektuar me gjak përmes gjilpërës”, tha qytetarja për FaktePlus. LEXO KETU.
Ndërkohë, pas insistimit të FaktePlus pas tri ditësh zyrtarë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV), kanë kthyer një përgjigje në të cilën bëjnë të ditur se kanë nisur hetimet për rastin në fjalë të “Viva Fresh Store”.
Zyrtari për Informimi i AUV, Lamir Thaçi ka treguar se menjëherë pas pranimit të ankesës në vend të ngjarjes kanë dalë për kontroll inspektorët fitosanitar.
Sipas tij, nga të vërejturit e këtyre inspektorëve fillimisht gjithçka është dukur në rregull, porse për të hequr çdo dyshim lidhur me këtë rast janë marrë mostrat për t’u dërguar në analiza laboratorike.
“Nga kontrolli të gjitha veçoritë kanë qenë normale dhe për ta vërtetuar ketë inspektorët fitosanitar kanë marrë mostra për analiza laboratorike, për të siguruar se produkti në fjalë është i sigurt për konsum. Në momentin kur të dalin rezultatet laboratorike ne do t’i prezantojmë para palës dhe publikut”, tha tutje Thaçi.
Kujtojmë se Agjencia e Lajmeve FaktePLus ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga zyrtarët e “Viva Fresh Store”, lidhur me këtë rast.
I kontaktuar nga redaksia vetë pronari i “Viva Fresh Store”, Xhevdet Rexhepi sapo mori vesh se për çfarë bëhet fjalë, tha se për këtë çështje flet menaxheri i këtij rrjeti të dyqaneve. LEXO KETU.
Mirëpo, menaxheri i kësaj pike pasi u kontaktua nga FaktePlus tha se ishte në pushim dhe nuk kishte ndonjë njohuri për rastin./A.S – FaktePlus