Rezolutat për dialogun, e 13-ta e vërteta apo si të tjerat
Rezoluta e miratuar të shtunën për procesin e dialogut në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ka dërguar në 13 numrin e rezolutave të miratuara për këtë proces, që nga viti 2011, kur të dyja shtetet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, filluan procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Pavarësisht shprehjes së vullnetit politik me miratimin e kaq shumë rezolutave, zbatimi i tyre ka mbetur vetëm dëshirë dhe asnjëherë nuk janë jetësuar.
Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se rezolutat nuk janë ligjërisht të obligueshme, por gjithsesi shprehin vullnetin e deputeteve të Kuvendit të Kosovës, prandaj respektimi i tyre duhet të jetë normë për institucionet të cilave u drejtohet.
“Në vazhdimësi kemi parë që në fakt Rezolutat nuk respektohen dhe nuk gjejnë zbatim duke e zbehur edhe vet efektin dhe rëndësinë e këtyre dokumenteve. Për këtë arsye duket që partitë të cilat propozuan dhe Rezolutën e fundit për dialogun Kosovë-Serbi tentojnë që të kalojnë edhe një ligj për këtë çështje për t’i dhënë fuqi obliguese dispozitave të parapara edhe me Rezolutë”, tha Krasniqi për FaktePlus.
Sipas saj, deri më tani në përgjithësi rezolutat kanë qenë reaktive, si reagim ndaj zhvillimeve politike ditore.
E gjithë kjo tentativë për t’i dhënë përgjigje këtyre zhvillimeve nëpërmjet qëndrimeve politike të artikuluara nga parti të ndryshme politike, në raste të caktuara Krasniqi thotë se kanë vënë në pah përplasjet në mes qëndrimeve politike dhe fragmentimin e vet skenës politike në vend.
“Lidhur me procesin e dialogut, në kuvendin e Kosovës janë miratuar 12 rezoluta, rezoluta e fundit është rezoluta e 13. Në vazhdimësi është evidentuar që respektimi i këtyre rezolutave ka qenë i mangët duke mos u respektuar nga institucionet obliguese”, deklaroi ajo.
Krasniqi ka përmendur rezolutat që nuk janë zbatuar dhe që kanë zbehur efektin dhe rëndësinë e tyre.
“Siç ishte rasti i rezolutës për zëvendësimin e kodit telefonik të Kosovës me kodin telefonik të Shqipërisë në votuar në vitin 2012, si dhe kushtëzimi i marrëdhënieve me Serbinë me kujdesin dhe interesimin shtetëror për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në vitit 2013. Këto janë vetëm 2 nga rezolutat të cilat nuk kanë gjetur zbatim, dhe kanë zbehur efektin dhe rëndësinë e vet e këtyre dokumenteve”, u shpreh Krasniqi.
Kurse deputeti partisë opozitare LDK-së, Driton Selmanaj, thotë se rezolutat do duhej të zbatoheshin, ani pse ato nuk janë obligative.
Por, duke komentuar rezolutën e fundit në një prononcim për FaktePlus, Selmanaj, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj PSD-së për, siç thotë ai, mënyrën e bashkëngjitjes me pushtetin.
Madje, ekipin e formuar për dialog me Serbinë e quan sekretariat që do t’i shërbej Hashim Thaçit.
“Kjo formë si po vepron PSD-ja janë krejtësisht në shërbim të presidentit Thaçi. Këta persona kanë krijuar një ekip i cili do të shërbej si sekretariat i presidentit Thaçi. Unë mendoj se ku vendi e aq më pak qeveria, jo që nuk ka pasur nevojë, por mendoj që është fyerje për këto institucione që kanë pranuar që të jenë sekretariat i presidentit”, tha Selmanaj.
Sipas tij, presidenti Thaçi do të jetë ai që do të vendosë kur ky ekip do të hyjë në sallë të takimeve e kur jo. Sipas tij, ekipi do të sillet korridoreve.
“Mendoj që këtyre ju mungon edhe legjitimiteti, por, edhe fuqia politike, për t’i adresuar këto çështje që përmenden në rezolutë. Këta shumë shpejt do ta shohin vetën si persona që i mbajnë letrat ose persona të cilët rrinë korridoreve të Brukselit që presidenti Thaçi vendos kur të hyjnë në sallë dhe kur nuk mund të hyjnë. Mendoj që ky është një pseudo-ekip, kuazi-ekip, i cili jo që nuk do të sjell rezultate por do ta komprometoj edhe me shumë pozicionin e Kosovës”, theksoi ai.
Akuza ndaj këtij ekipi ka pasur subjekti tjetër opozitar Lëvizja Vetëvendosje. Deputetja e kësaj partie, Fitore Pacolli, duke komentuar letrën e presidentit të ShBA-së, Donald Trump për homologun e tij kosovar Hashim Thaçi, ka thënë se ai kërkon unitet nga spektri politik në Kosovë, gjë që aktualisht nuk është.
Ajo ekipin dialogues të votuar në Kuvend e ka quajtur shërbëtor të presidentit Hashim Thaçi.
“Në fakt presidenti Trump e ka konfirmuar se duhet unitet në vend, ne tashmë nuk kemi një unitet. Ne kemi një person, Thaçin i cili e ka marr agjendën e dialogut dhe temën e korrigjimit të kufijve si temë të vetën e ka privatizuar atë, dhe kemi një të ashtuquajtur delegacion që do t’i shërbej, si shërbëtor Thaçit”, tha Pacolli.
Ditë më parë, presidenti amerikan Donald Trump i dërgoi një letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi përmes të cilës i kërkoi atij dhe liderëve politik në Kosovë që të kenë unitet e ta shfrytëzojmë këtë moment unik që të flasim me një zë në arritjen një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë.
Në këtë vij pas shumë përpjekjeve të mëhershme me rastin e marrjes së kësaj letre, partitë në pushtet Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK), Nismës Socialdemokrate dhe subjektit në opozitë Partisë Socialdemokrate, e miratuan një rezolutë për procesin e dialogut./B.Syla-FaktePlus