A do t’i zë bora edhe këtë dimër autoritetet në befasi
Jemi në muajin dhjetor dhe ftohti e bora konsiderohen të zakonshme. Por, nëse ndodh të ketë reshje këto ditë, autoritetet kompetente për mirëmbajtjen e rrugëve mund t’i zë edhe sivjet në befasi. Kjo për faktin se si Ministria e Ifrastrukturës ashtu edhe shumë komuna të Kosovës nuk kanë mundur të sigurojnë kompani për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve që bien në përgjegjësinë e tyre. FaktePlus ka mësuar se këto vonesa kanë ardhur pasi ministria dhe shumë komuna kanë telashe me tenderë.
Zyrtarë nga Ministria e Infrastrukturës nuk kanë dhënë përgjigje nëse janë përgatitur për mirëmbajtjen e rrugëve. Por, FaktePlus ka gjetur se Ministria e Infrastrukturës nuk ka aktualisht kapacitete që të mbulojë gjithë regjionin e Kosovës, nëse eventualisht ka reshje të dëborës këtyre ditëve. Kjo pasi ministrinë e kanë përcjell telashet me tenderë.
Vlera tenderuese mbi 17 milionë euro, disa shkelje
Tenderi i cili quhet “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve nacionale dhe regjionale të Kosovës 2017 /2018/ 2019” me vlerë të parashikuar të kontratës prej 17 milionë e 231 mijë euro, po orvatet që të realizohet në tërësi më shumë se një vit, respektivisht nga data 2 tetor 2017.
Ky tender ka arritur të realizohet pjesën më të madhe të tij, ndërsa një pjesë ka dështuar për shkak të shkeljes së ligjit gjatë procedurave tenderuese.
Para tri javësh Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e ka urdhëruar Ministrinë e Infrastrukturës që një pjesë të tenderit ta kthejë në rivlerësim, pasi ka pasur shkelje gjatë realizimit.
Ministria, sipas njoftimit në KRPP, e ka anuluar këtë pjesë të tenderit që ka pasur të bëjë për regjionin e Ferizajt, Pejës dhe Gjakovës, por nuk ka njoftuar më nëse ka arritur ta kryejë rivlerësimin me kohë dhe të mos ketë më ankesa.
Pjesa kontestuese për këto tri regjione është mbi 1.2 milion euro dhe tenderi është korniz me kohëzgjatje prej 36 muajve.
Shkelje edhe në tenderin prej mbi 2 milionë për autoudhë
Po ashtu, Minikstria e Infrastrukturës ende nuk ka arritur ta realizojë as tenderin “Mirëmbajtja rutinore dhe dimërore të autoudhës A6 (Arbër Xhaferi). Vlera e parashikuar e kësaj kontrate është 2.250.000,00 euro.
Për këtë tender, disa kompani kanë parashtruar ankesa për shkelje të ligjit të prokurimit nga ana e ministrisë dhe lënda është në OSHP.
Shumë komuna nuk tregojnë a janë përgatitur
Shumë nga komunat më të mëdha të Kosovë nuk janë përgjigjur lidhur me përgatitjet e sezonit dimëror, siç është ajo e Prishtinës, Pejës, e Gjilanit. Kurse zyra për informim e Prizrenit dhe Ferizajt janë treguar më transparente dhe kanë ofruar të dhëna.
Zyrtari për marrëdhënie me publikun në Komunën e Prizrenit, Lis Dorambari tha se janë përgatitur për të mirëmbajtur rrugët nëse ka reshje.
Ai tregoi se Drejtoria e Shërbimeve Publike për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në qytet dhe fshatra, i ka të kontraktuara tri kompani, “IS Company”, “NSH Shërbimi” dhe “Ekoregjioni”.
“Këto kompani kanë kontrata kornizë tri vjeçare prej 08.02.2016 deri më 07.02.2019 dhe i kanë terrenet e ndara në zona si në qytet ashtu edhe në fshatra. Gjithsej janë mbi 76 km rrugë në qytet dhe rreth 209 km rrugë që lidhen me fshatrat, që do të kenë mirëmbajtje dimërore nga këto kompani”, tha thënë Dorambari për FaktePlus.
Sipas tij, përveç punëve në qytet kompanitë janë të obliguar që pas rënies së borës në fshatra të intervenojnë duke larguar borën deri në qendër të fshatit, rrugën kryesore si dhe rrugën deri në shkollë dhe ambulancë shëndetësore.
“Komuna me anë të tenderit ka siguruar 800 tonë kripë industriale, e cila do t’u shpërndahet kompanive të kontraktuara sipas kilometrave të rrugëve që do ta mirëmbajnë”, tha Dorambari.
Edhe zyrtarë nga Komuna e Ferizajt kanë thënë se janë të përgatitur të mirëmbajnë rrugët gjatë dimrit, pasi të gjitha procedurat për kontraktimin e kompanive e pesë kompanive kanë përfunduar më kohë.
“Komuna e Ferizajt, ka të kontraktuara 5 kompani për sezonin dimëror, ndërsa vlera e parashikuar për këtë tender ka qenë 176 mijë euro për një vit. Kontrata është e ndarë në 6 lloto, 2 në qytet dhe 4 në fshatra dhe të gjitha janë të përfunduara”, thuhet në një përgjigje të zyrës për informim të Komunës së Ferizajt për FaktePlus.
Kryeqyteti me procedura urgjente
Dimri sa nuk e zuri Komunën e Prishtinës pa kontraktuar kompani që mirëmbajnë rrugët gjatë dimrit. Ekzekutivi i Prishtinës nëpërmjet procedurave emergjente, pa publikim të kontratës, ka negociuar vetëm me disa kompani për mirëmbajtje e rrugëve, duke ua mohuar mundësinë shumë kompanive të garojnë në tender.
Si do qoftë, mënyrën nëpërmjet negocimit Prishtina e bëri pasi ka kërkuar që këtë t’ia lejojë edhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik –KRPP, me datë 3 dhjetor ka njoftuar se ka realizuar tenderin emergjent “Mirëmbajtja dimërore e rrugëve dhe trotuareve, debllokimi i kanalizimit atmosferik(heqja e bores, fshirja e mbeturinave dhe larja sipas kushteve atmosferike)”.
Ndërkohë, për mirëmbajtjen e rrugëve në zonat rurale Prishtina i ka të kontraktuara disa kompani, pasi kontratat kanë qenë kornizë.
Lansimi i fushatës “Të sigurt në rrugë gjatë dimrit”
Ndërkohë, Ministria e Infrastrukturës në bashkëpunim me Departamentin Koordinues të Këshillit për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor, Policinë e Kosovës dhe Auto Moto Club Kosova (AMCK), kanë bërë të hënën lansimin e fushatës “Të sigurt në rrugë gjatë dimrit”.
Përmes kësaj fushate, ministria synon vetëdijesimin e qytetarëve të cilët janë pjesëmarrës në trafik gjatë sezonit të dimrit, të jenë të përgatitur dhe t’u kushtohet kujdes i veçantë pajisjeve dimërore, në mënyrë që siguria në rrugë të jetë në nivelin e duhur dhe të eliminohen pengesat të cilat e vështirësojnë qarkullimin e lirë të automjeteve.
Njëkohësisht, si formë informimi, Ministria e Infrastrukturës do të përdorë edhe shpërndarjen e fletushkave, prej të cilave qytetarët do të mund të informohen më detajisht rreth përgatitjeve dimërore./M.Buzhala – FaktePlus