Mbledhjet e Qeverive – shou politik
Takimet e mbledhjet e përbashkëta të Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë që tashmë janë mbajtur disa herë dhe e fundit ndodhi dje në Pejë, opozita kosovare po i cilëson si sipërfaqësore dhe më shumë si shou politik e jo si projekt për të mirën e shqiptarëve në Ballkan.
Deputetë nga opozita thonë se marrëveshjet e nënshkruara nga dy qeveritë nuk po gjejnë zbatim ani pse deri më tani janë mbajtur pesë mbledhje e janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh. Ata, po ashtu, thonë se efikasiteti për realizimin e marrëveshjeve të nënshkruara është zero.
Arben Gashi deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës i ka thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus, se mbledhjet e tilla të dy qeverive po bëhen më shumë për shou politik sesa si projekt i shqiptarëve në Ballkan.
Gashi tutje thekson se Qeveria e Kosovës do të duhej të kishte raport mbi marrëveshjet e zbatuara dhe të pa zbatuara me shtetin shqiptar.
“Është e mirëseardhur mbledhja e dy qeverive por efikasitet nuk ka. Deri më tani nuk kam parë efikasitet tash edhe as më herët. Më shumë po duken si shou politik se sa projekt i shqiptarëve në Ballkan. Ndërsa sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të mëhershme, unë nuk e di se çfarë është zbatuar, por sot është dashtë të ketë një raport dhe të shihet qartë se çfarë është zbatuar dhe çfarë jo”, ka thënë Gashi.
Ndërkaq partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje e sheh si të gabueshme nënshkrimin e marrëveshjeve të cilat nuk gjejnë zbatim.
Deputetja Arbërie Nagavci ka thënë për FaktePlus se bashkëpunimi me Republikën e Shqipërisë është i rëndësishëm, por që sipas saj duhet të ketë praktikë edhe për përmirësimin e jetesës së qytetarëve andej e këndej kufirit.
“Bashkëpunimi me Republikën e Shqipërisë është shumë i rëndësishëm dhe i nevojshëm, por ky duhet të jetë një bashkëpunim i vërtetë, i cili mundëson bashkëpunimin në sferën e nivelit të zhvillimit ekonomik, përmirësimit të jetesës së qytetarëve, dhe në fushën e arsimit, në kulturë, dhe aktivitete sportive. Është shumë e gabueshme që të ketë deklarata dhe marrëveshje të nënshkruara të cilat nuk gjejnë aspak zbatim në praktikë, kështu që edhe ky takim i sotëm po vazhdon të jetë takim si ato paraprake ku kanë rastis që marrëveshje të njëjta të nënshkruhen nga disa herë për të mos parë asnjë rezultat në këtë fushë”, ka thënë Nagavci.
E pyetur se a është kjo rruga e cila dërgon në Bashkimin Kombëtar, Nagavci thotë se ky proces nuk mund të arrihet me marrëveshje të pazbatuara.
Ajo thotë se Bashkimi Kombëtar mund të ndodhë kur të dy vendet kanë bashkëpunim me aktivitetet e tyre të përbashkëta.
“Të gjitha marrëveshjet e nënshkruara deri më tani lënë shumë për t’u dëshiruar ashtu sikurse bashkëpunimi është minimal dhe shumë gjëra që do të duhej të bëheshin, fatkeqësisht për shkak të politikave të gabuara kanë mbetur vetëm dokumente të shkruara. Bashkëpunimi kombëtar duhet të arrihet në mënyrë të mirëfilltë. Pra, jo me marrëveshje të nënshkruara e që nuk zbatohen, por me një bashkëpunim me aktivitetet e përbashkëta, pra në fusha të ndryshme, gjë që është shumë e lehtë të realizohen, por që fatkeqësisht për shkak të disponimit politik nuk ka pasur rezultate në këtë fushë”, ka thënë Nagavci.
Ndryshe në mbledhjen e dy qeverive është bërë nënshkrimi i nëntë marrëveshjeve. Nënshkrimi i tyre u bë përmes një ceremonie publike, të cilat u nënshkruan nga ministrat përkatës të dy qeverive./FaktePlus