Gruri serb mund të zëvendësohet nga shtete të BE-së
Kosova nuk ka kapacitet të veta që të furnizojë tregun e brendshëm më grurë dhe rreziku për ngritje të çmimeve të grurit e miellit me vendosjen e taksës doganore prej 10 për qind për mallrat që importohen nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, mund të tejkalohet fare lehtë duke zëvendësuar importin serb me importe nga vende të ndryshme të BE-së, sidomos nga Hungaria.
Sipas statistikave të Doganës së Kosovës dërguar redaksisë FaktePlus, në vitin 2017, Kosova ka importuar miell dhe grurë një sasi prej 135, 189, 102.22 kilogram. Për to janë paguar 25, 802, 345. 39 euro. Taksat që fitoi shteti nga ky import janë në vlerë prej 963, 924. 02 euro.
Po, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, nga janari i këtij viti deri në fund të shtatorit, në Kosovë janë importuar 122, 078, 449.91 kilogram miell e grurë, në vlerë monetare prej 23,537,478.14 eurove. Taksat ishin në vlerë prej 736,224.56 eurove.
Mielli e gruri po importohen nga Bosnja, Bullgaria, Gjermania, Greqia, Kroacia, Hungaria, Italia, Maqedonia, Holanda, Serbia, Turqia, Shqipëria, etj.
Deri tani Serbia e ka bërë dallimin e madh të importit. Nga janari deri në shtator të këtij viti nga Serbia janë importuar 8 produkte të miellit e grurit ose rreth 110 milionë kg, në vlerë prej rreth 20 milionë euro. Nga Serbia më së shumti po importohet grurë i quajtur durum dhe jo durum. Po nga Serbia në vitin e kaluar miell e grurë janë importuar në sasi prej 123 milionë e 650 mijë kg, që ka kushtuar 22 milionë e 714 mijë euro.
Importi serb mund të zëvendësohet nga shtete të BE-së, sidomos Hungaria
Potencial i mirë për import është Hungaria, pasi ka prodhim të madh. Nga ky shtet sivjet për 9 muaj u importuan 3 milionë e 930 kg miell e grurë. Po ashtu edhe nga Austria sivjet u importuan 2,500,056.00 kg miell prej grurit të zakonshëm ose spelt, i cili ka kushtuar 780,012.95 euro.
Nga Shqipëria dhe Maqedonia po importohet më pak këto produkte. Gjatë muajit janar-shtator 2018, nga Shqipëria u importuan 86 mijë kg miell prej grurit të zakonshëm ose spelt. Megjithatë, Kosova shumë më shumë se kjo shifër eksporton miell e grurë në Shqipëri. Po gjatë kësaj periudhe kohore nga Maqedonia janë importuar rreth 20 mijë kg.
Sivjet më pak prodhim gruri në Kosovë
Para pakë javëve drejtuesit e Shoqatës së Mullisëve të Kosovës kanë thënë se këtë vit ka pasur një rënie të prodhimit të grurit në Kosovë dhe kjo ka ardhur si rezultat i subvencionimit jo të drejtë të kësaj kulture bujqësore.
Sipas konkludimeve të parashtruara në të gjitha regjionet e Kosovës, janë dorëzuar maksimalisht 120 mijë tonelata grurë.
Ende nuk janë kryer mbjelljet vjeshtore
Kurse kushtet klimatike, respektivisht thatësia që po mbretëron në këta muaj në Kosovë, ka ndikuar që sipërfaqet e destinuara për kultivim me drithëra, sidomos ajo e grurit të mos fillojë të mbillet ende, si ndodh rëndom në këtë periudhë kohore.
Se situata nuk qëndron mirë në terren me mbjelljet e sipërfaqeve të destinuara për kultivim me drithëra e thonë edhe zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Drejtori i Departamentit të Politikave Bujqësore dhe Tregjeve në MBPZHR, Isuf Cikaqi ka thënë për FaktePlus se për shkak të kushteve klimatike, respektivisht mungesës së shiut, procesi i mbjelljeve vjeshtore është kryer shumë pak.
“Mungesa e shiut ka ndikuar të shtyhen mbjelljet. Përndryshe afati optimal për mbjelljen e grurit është deri në mesin e nëntorit, dhe në gjithë territorin e Kosovës këtë vit planifikohet të mbillen mbi 70 mijë hektarë me grurë”, tha Cikaqi.
Kryetari i Federatës së Bujqëve të Kosovës, Tahir Tahiri thotë se për të punuar tokën në këso thatësira si sivjet duhen mjete më të mira pune, e që bujqit nuk i kanë.
Ai jep vërejtje për mos shfrytëzimin e dy hidrosistemeve për ujitje, atë të Ibër Lepencit dhe të Radoniqit, e të cilat sipas tij do të ndihmonin shumë në tejkalimin e kësaj situate.
Në këtë rast, Tahiri i dha mbështetje vendimin të Qeverisë së Kosovës për vënie e taksës prej 10 për qind për produktet serbe që hyjnë në Kosovë dhe kërkoi që të bllokohet në tërësi importi nga Serbia.
Sipas tij, një vendim i tillë jo vetëm që nuk dëmton tregun kosovar, por do të nxiste bujqit t’i kthehen bujqësisë, të prodhojnë vetë kulturat bujqësore, e të cilët më parë për shkak të konkurrencës jo lojale i janë larguar kësaj veprimtarie.
Ndryshe, importi i miellit nga Serbia kishte rënë në vitin 2017, krahasuar me vitin paraprak. Kjo ngase me 23 tetor 2017 kishte hyrë në fuqi vendimi për vendosjen e tarifës prej 0.04 centë për importin e miellit nga Serbia.
Kosova ka rreth 40 mullinj të cilët, po qe se do të kishte grurë të mjaftueshëm janë në gjendje të prodhojnë miell për mbi pesë milionë banorë./M.B -FaktePlus