Lidhjet e dyshimta të “Tregtisë” me kryetarin Shpend Ahmeti
Nga Mentor Buzhala
Kompania “Tregtia” e ka fituar projektin më të madh në Komunën e Prishtinës dhe pritet të ndërtojë kompleksin banesor “Kodrina” në lagjen “Mati 1”. Për ‘rastësi’ tani Partia Socialdemokrate (PSD) e drejtuar nga Shpend Ahmeti, zyret qendrore të saj i ka në objektet e “Tregtisë” në lagjen “Arbëria”. Po ashtu, mund të jetë ‘rastësi’ që edhe arkitekti i “Tregtisë”tani punësohet në komunë, kurse disa familjarë të nënkryetarit të komunës, punojnë tek “Tregtia” e të tjerë janë kreditorë në këtë kompani.
Kompleksi i madh “Kodrina” ka rreth 650.000 m2 dhe punimet për ndërtimin saj pritet të përfundojnë brenda 10 vjetëve. Aty planifikohet të krijohen kushte banimi prej 18.000 – 20.000 banorë.
Që të ndërtohet ky kompleks i madh banesor në lagjen “Mati1”, Komuna e Prishtinës e drejtuar nga kryetari Shpend Ahmeti pas shumë mosmarrëveshjeve me opozitën komunale bëri ndryshimin e planit urbanistik. Madje fituesja e këtij projekti, kompania “Tregtia” këtë vit u pajis me leje ndërtimore nga komuna dhe filluan punimet për ndërtimin e kompleksit.
Opozita komunale pati reaguar fuqishëm, duke dyshuar se marrëveshja ishte e kundërligjshme dhe se në këtë rast u shkel konkurrenca e lirë.
Në shërbim të këtij projekti para pak ditëve qeveria e Ahmetit në mbledhjen e Kuvendit të Komunës e dërgoi për miratim dhe mori votat e mjaftueshme edhe ndërrimi i një parcelë toke me “Tregtinë”, në mënyrë që kjo e fundit të mos ketë pengesa tek kompleksi “Kodrina”.
“Kuvendi i Komunës miraton vendimin për këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës me pronën e paluajtshme në pronësi të Bedri (Smajl) Prishtina dhe Durim (Bedri) Prishtina”, thuhet në vendimin e komunës, të cilin e ka parë FaktePlus.
PSD-ja e gjen strehën te “Tregtia”
Gjatë muajit maj të këtij viti Kuvendi i Partisë Socialdemokrate (PSD) e ka zgjedhur Shpend Ahmetin kryetar të kësaj partie. Pas këtij procesi, ky subjekt politik që liderin e ka kryetar të Prishtinës, zyret qendrore të saj i vendos në objektet e kompanisë “Tregtia” në lagjen “Arbëria”.
FaktePlus e ka pyetur zyrën për informimit të PSD-së lidhur me shumën mujore që kjo parti e paguan në emër të qirasë për selinë qendrore tek kompania “Tregtia”, por zyrtarët e kësaj partie nuk kanë dashur të përgjigjen.
Shpend Ahmeti e punëson arkitektin e “Tregtisë” në komunë
Para pak ditësh, kryetari Shpend Ahmeti mori vendim që të formojë komitetin konsultativ për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal. Ne emrin e të përzgjedhurve, si anëtar i Odes Ekonomike Amerikane është edhe Ferhat Bejtullahu. FaktePlus ka mësuar se i njëjti është arkitekt të kompania“Tregtia”.
Ai është mbikëqyrës kryesor në kompleksin e ndërtimit të “Kodrinës”. Emri i Ferhaf Bejtullahu, si arkitekt i “Tregtisë”, figuron edhe në lejen e ndërtimit që Komuna ia ka dhenë kësaj kompanie për projektin “Kodrina”. Madje ai paraqitet si hartuesi kryesor i projektit.
Bejtullahu, figuron edhe në leje tjera të ndërtimit që “Tregtia” ka marr leje nga Komuna e Prishtinës në kohën sa është në udhëheqje nga Shpend Ahmeti.
Familjarët e nënkryetarit të Prishtinës të punësuar tek“Tregtia”
Kurse nënkryetari i Prishtinës, njëherësh drejtori i Administratës, Muhedin Nushi ka të punësuar familjar tek kompania “Tregtia. Në këtë kompani i punon djali i vëllait të nënkryetarit.
Ndërsa, mbikëqyrësi i kompleksit të “Kodrinës”, arkitekti Ferhat Bejtullahu së bashku me Violeta Nushin është bashkautor i disa punimeve në konferenca ndërkombëtare.
Violeta Nushi nga viti 2016 është prodekane në Universitetin e Prishtinës. Ajo është kunata e nënkryetarit Muhedin Nushi.
Bashkëshorti i saj është avokati Gazmend Nushi, që sipas deklarimit të pasurisë është kreditor tek “Tregtia” deri në vitin 2021 për blerjen e banesës. Po tek kjo kompani Vileta Nushi ka qenë kreditore deri në vitin 2017.
Nuk tregohet si iu dha puna “Tregtisë” për mbulimin e gropës
Nëntë vite më parë, afër Fakultetit Teknik në Prishtinë nisën punimet për ndërtimin e objektit të Operës dhe Baletit “Ibrahim Rugova”. Punimet aty përfunduan me hapjen e një grope të madhe. Tanimë gropa nuk ekziston, pasi u mbulua me nga kompania “Tregtia”.
FaktePlus ka mësuar se gjithë ajo që është hedhur afër fakultetit, është prej mbetjeve të dheut nga projekti i madh i “Kodrinës”, ku po ndërton kompleksin banesor “Tregtia”.
Por, hedhja e dheut afër Fakultetit Teknik nga “Tregtia” është punë e dyshimtë, pasi nuk ka pasur konkurs apo shpallje të prokurimit nga komuna e Prishtinës për këtë punë.
Redaksia përkundër disa përpjekjeve nuk ka marrë përgjigje nga zyra për informim e komunës së Prishtinës se si është lidhur marrëveshja për mbulimin e gropës me “Tregtinë”. Po ashtu, përgjigje nuk kanë kthyer as nga kompania “Tregtia”.
Si do qoftë, mësohet se Komuna është e interesuar që në atë vend të ndërtohet një park, por Prishtina ende nuk e ka tapinë e tokës për atë pjesë.
Drejtorja e Parqeve në Komunën e Prishtinës e cila vjen nga koalicioni me AKR-në, Fatime Hajdari ka thënë se nuk është në dijeni për kompaninë e kontraktuar, pasi kjo nuk hyn në domenin e drejtorisë që ajo e drejton.
“Drejtoria e Parqeve nuk është në dijeni se kush është duke e mbyllur atë gropë, pasi ne nuk kemi bërë kurrfarë kontraktimesh. Këtë duhet ta dinë organet tjera komunale. Por, dimë që është pronë diskutabile, për të cilën do të vendos gjykata, pasi komuna ende nuk e posedon të gjithë dokumentacion për atë pronë. Por, nëse do të ndërtojmë park do t’u njoftojmë”, tha ajo.
Dyshimet e opozitës për korrupsion
Për projektin e fituar nga “Tregtia” ka pasur përplasje edhe në Kuvendin Komunal mes opozitës e ekzekutivit. Opozita ngriti dyshime për favorizim të kompanisë për ndërtimin e kompleksit “Kodrina”.
Më 2 gusht 2017, drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës dega në Prishtinë në një konferncë për medie e patën akuzuar ashpër kryetarin Shpend Ahmeti lidhur për projektin “Kodrina”.
Sipas tyre, Ahmeti i dha monopol të plotë një kompanie dhe nënshkroi marrëveshje të kundërligjshme për “Kodrinën”, duke anashkaluar tërësisht Kuvendin Komunal.
“Për t’ia përmbushur mirë interesin, e rriti edhe koeficientin e ndërtimit për “Kodrinën” për 65 për qind mbi koeficientin e aprovuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës. Ai e ndryshoi edhe Planin Zhvillimor Urban dhe Planin Rregullues pa aprovim”.
PDK, pati paraqitur edhe vizatime vizuale, duke pretenduar keqpërdorimet e Ahmetit tek “Kodrina”. Më poshtë mund ta shihni atë:
Kompania “Tregtia” ka marrë disa leje të ndërtimit viteve të fundit në kryeqytet, derisa në kohën sa në Prishtinë ka qeverisur LDK-ja ka qenë njëra nga kompanitë që kanë bërë ndërtime pa leje. Për ndërtimet pa leje, drejtuesit e saj kanë aplikuar për legalizim të tyre në Komunën e Prishtinës./FaktePlus