LDK dobësohet nga ikjet, por nuk hatrohet
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Prishtinë që nga dita e djeshme ka mbetur me një asamblist më pak. Nga 15 që kishte, tash kjo parti numëron vetëm 14 sosh.
Kjo pasi që Fiknete Bejta ka aderuar në partinë kryeministrit Ramush Harainaj, AAK.
Bejta ka qenë njëra nga kandidatet më të votuara për asambliste në Kuvendin Komunal të Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në sqarimin e saj të dhënë për opinion Bejta ka treguar se këtë lëvizje e ka bërë për shkak të pikëpamjeve të përbashkëta me partinë e Ramush Haradinajt, në vizionin e të cilit ka thënë se edhe beson.
“Këtë vendim e kam marrë pas një analize të detajuar e të gjatë. E kam vlerësuar se kontributi im politik në Asamblenë Komunale të Prishtinë, do të jetë më i plotë me AAK-në, me të cilën me lidhin shumë pikëpamje e qëndrime të përbashkëta. I besoj vizionit për shtetin që ka kryeministri Haradinaj”, ka thënë Bejta në një reagim në Facebook.
Mirëpo LDK edhe pse nuk e kishte pritur aderimin e Bejtes në partinë tjetër, nuk wshtw hatruar me ikjen e saj.
Halim Halimi asamblist i LDK-së në Prishtinës ka thënë për FaktePlus se Bejta në LDK nuk kishte pasur mosmarrëveshje.
Sipas tij, Bejta është kthyer në ish- partinë e saj ku kishte qenë pjesë e AAK-së vite më parë.
“Nuk e kemi prit, sepse nuk pasur shenja të mos kënaqësisë mirëpo ajo ka ardhë prej AAK-së tek ne. Kështu që ajo vetëm është kthyer prapa në ish- partinë e saj. Ne kemi mbetur tashmë me 14 asamblistë nga gjithsej sa i kemi pasur 15”, ka thënë Halimi.
Ai tutje ka shtuar se LDK vazhdon të mbetet opozitë e mirëfilltë në Komunën e Prishtinës.
“ LDK mbetet ajo që ka qenë në kauzat e saj. Ne jemi opozitë e mirëfilltë dhe jemi duke punuar në të mirën e qytetarëve. Nuk jemi parti ekstremiste, por që i kemi ato kundërshtitë tona të mirëfillta”, tha Halimi.
LDK aktualisht është në opozitë në KK të Prishtinës. Kjo parti pati humbur betejën e balotazhit për të parin e komunës në zgjedhjet komunale 2017 dhe për të dytin mandat nuk ka në duar qeverisjen në kryeqytet./B.K – FaktePlus