Hoxhaj thotë se është problematike qasja e Qeverisë Hoti në dialog
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se është shqetësuese qasja e Qeverisë Hoti karshi çështjes së dialogut mes Kosvës e Serbisë.
Hoxhaj tha në seancën e sotme që duhet fillimisht të ketë një kornizë dhe dokument që tregojnë për temat që dialogohen.
“Nëse partnerët e koalicionit s’mund të koordinohen në zgjedhjen e koordinatorit imagjinoni cila është pesha dhe rezultati i procesit. Nuk është fer nuk është e drejtë që para takimit në Bruksel të ketë mesazhe se përfaqëson e nuk përfaqëson”, tha ai.
Hoxhaj shtoi se nuk është për barrikadë, por me ndjekë një karavan të dialogut pa e ditë kohën, ndoshta mbërrin në cak kur bëhet kismet dhe është më serioze sesa mund të mendojmë.
Ai tha se e shohin si problem qasjen e Qeverisë Hoti në dialog.
”Çka po thotë Kryeministri është pozicionim legal i Kosovës. Kur unë e kam dëgjuar se si ka folë Vuçiqi në konferencën për shtyp, jo që s’ma ka rikthy diskursin e vitit 2000, por për mua ka qenë rikthim i viteve ’80-ta. Unë e di që kur shkon në dialog pa strategji përfundon në forma të tilla. Po e shohim si të rëndësishme që Qeveria t’na japë një dokument që ta dimë për cilat tema po flasim”.
Deputeti Hoxhaj tha se këto janë dilema të cilat duhet t’i kemi dhe duhet t’i ngrisim, sepse dialogu nuk guxon që t’i shërbejë vetëm Serbisë, por do duhej t’i shërbejë edhe Kosovës.