Hoxhaj: S’i marrim seriozisht vijat e kuqe të LDK-së
Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, është i bindur se në zgjedhjet e 6 tetorit do të dalin fitues dhe do ta formojnë qeverinë e re.
Hoxhaj në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, thotë se kandidati i tyre për kryeministër, Kadri Veseli, është njeriu i duhur për ta drejtuar Qeverinë e ardhshme.
Madje, sipas Hoxhajt, PDK-ja është konstantja në pushtet, përderisa partitë tjera variabla që mund t’i bashkohen atyre në ekzekutiv.
Duke komentuar vijat e kuqe të vëna nga LDK-ja se nuk do të bashkëqeverisin me PDK-në, Hoxhaj ka thënë se kjo ka pak rëndësi, pasi është dëshmuar se vijat e kuqe të partive tjera janë shndërruar në vija të gjelbra, duke iu bashkuar PDK-së në pushtet.
“Mendoj që çfarëdo që thonë kolegët nga të gjitha subjektet tjera politike, por veçanërisht nga LDK-ja, AAK-ja, Nisma, AKR-ja e tjerët, me VV-në nuk kemi bashkëqeverisur asnjëherë, e dimë që në çdo fushatë zgjedhore në këto 156 vitet e fundit kanë folur për vija të kuqe të cilat vija të kuqe janë shndërruar në dritë të gjelbër dhe hyrja e tyre në koalicion me PDK-në. Në këtë drejtim nuk e marrim seriozisht as deklaratat, as politikën e vijave të kuqe”, ka thënë ai.
Për më shumë shihni video:
Duke folur për dialogun me Serbinë, numri dy i PDK-së, Enver Hoxhaj thekson se puna e parë që e pret në tavolinë qeverinë e ardhshme, do të jetë procesi i dialogut dhe përfundimi i tij me një marrëveshje e cila do të jetë njohja reciproke.
Sipas tij, marsi i vitit 2020 do të jetë koha kur ky proces do të kryhet me arritjen e marrëveshjes nga të dyja shtetet.
Në këtë intervistë, Hoxhaj flet edhe për procesin e njohjeve, duke thënë se duhet kundërvënë fushatës së Serbisë kundër Kosovës dhe për tërheqjen e njohjeve të Kosovës./FaktePlus
Për të gjitha këto shihni video: