Hoxhaj: Serbia po vazhdon ta politizojë trashëgiminë kulturore të Kosovës
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka komentuar deklaratën e ministrit të Kulturës në Serbi, Vlladan Vukosavleviq, i cili e ka quajtur provokim liturgjinë e mbajtur kohë me parë në rrënojat e një kishe të vjetër katolike shqiptare në Novobërdë.
Hoxhaj, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se obsesioni i Serbisë për të përvetësuar gjithçka, e ka bërë atë shkaktare të sa luftërave e konflikteve në Ballkan.
“Politika serbe në lojërat e veta karshi shqiptarëve të Kosovës shpesh i ka përfshi edhe njerëzit e shkencës, duke manipuluar me faktet’, ka thënë Hoxhaj.
Ai, gjithashtu ka shkruar se kishat, xhamitë, objektet tjera të trashëgimisë kulturore, historike e fetare të Kosovës i takojnë Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Shkrimi i plotë i Enver Hoxhajt në Facebook:
Obsesioni i Serbisë për të përvetësuar gjithçka e ka bërë atë shkaktare të sa luftërave e konflikteve në Ballkan! Politika serbe në lojërat e veta karshi shqiptarëve të Kosovës shpesh i ka përfshi edhe njerëzit e shkencës, duke manipuluar me faktet.
S’do mend se në shekullin e 14 e 15 prej kur daton Kisha e Novobërdës nuk kishim të bënim me kombe të krijuara, keshtu që përvetësimi i saj si ‘serbe’ është qesharak!
Kishat, xhamitë, objektet tjera të trashëgimisë kulturore, historike e fetare të Kosovës i takojnë Kosovës dhe qytetarëve të saj!
Politizimi i kulturës, shkencës, historisë, sot, është lojë qesharake e absurde që bën Serbia! Kosova është fakt i kryer!