Hoxhaj: 35% e kabinetit tim do të jenë gra
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Enver Hoxhaj, u zotua se 35 deri në 40 përqind e kabinetit qeveritar të udhëhequr nga ai do të jenë gra.
Hoxhaj në Rubikon të Klan Kosovës, ndër të tjera tha se askush nuk duhet të jetë në qeveri vetëm për shkak të gjinisë.
“Në listën tonë zgjedhore kemi përfaqësim gjinor i cili i përfaqëson në mënyrën më të mirë të mundshme të gjitha profesionet, interesat, shqetësimet që mund t’i ketë gruaja në Kosovë”.
Hoxhaj theksoi që nuk ka pasë deri tash qeveri e cila do t’i ketë në kabinet më shumë përfaqësim gjinor.
“Ajo që unë zotohem para jush dhe para grave të Kosovës, është se nuk ka pasur deri tash qeveri e cila do t’i ketë në kabinet më shumë përfaqësim gjinor, të mirëfilltë. E dyta, a kemi mundur të kemi më shumë gra në listën tonë?”.
“Po, por afati ka qenë i shkurtër, sepse zgjedhjet ishin të parakohshme. Së treti, a kemi përfaqësimin më të mirë gjinor në listën tonë të PDK-së të cilën e kryesoj unë? Mendoj se po, përveç që ka akademike të mirëfillta, njerëz të artit dhe kulturës, ndërmarrëse të suksesshme, përveç që ka përfaqësim të të gjitha profesioneve, kemi edhe studente, kemi edhe vajza të reja që studiojnë dhe përfaqësojnë interesat e një gjenerate më të re të gruas”.
“Pjesëmarrje e gruas në qeverinë time do të jetë ndoshta mbi 35% deri në 40% për këtë ju siguroj, së dyti nuk mendoj se dikush duhet të jetë në qeveri për shkak se është grua. Së treti, mendoj se çdo moshë përveç programit që duhet të zbatohet duhet të shprehë shqetësimet e një gjenerate të caktuar”, tha Hoxhaj.