Hovenier merr urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ndarë urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova” ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier, që ka vendosur të largohet nga misioni në Kosovë dhe të pensionohet.
Osmani e ka vlerësuar Hovenierin si më shumë se një ambasador në Kosovë.
“Urdhri “Dr. Ibrahim Rugova”, për Jeff Hovenier – i cili për Kosovën ishte më shumë se një Ambasador. Ishte me ne kur populli i Kosovës ishte viktimë e krimeve të llahtarshme, ishte me ne kur raportonte për masakrën e Reçakut, ishte me ne kur vendosnim themelet e shtetit tonë të pavarur, e ishte me ne edhe përgjatë viteve të fundit në mbrojtje të pavarësisë, sovranitetit dhe aleancës së pathyeshme me SHBA-të. Faleminderit Ambasador Hovenier!” ka shkruar ajo në Facebook tek ka publikuar një video të ceremonisë.
Urdhri Për Paqe, Demokraci Dhe Humanizëm “Dr. Ibrahim Rugova”, u jepet personave vepra jetësore e të cilëve cilësohet si kontribut i veçantë për ndërtimin e paqes, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e humanizmit.
Hovenier është ambasador në Kosovë që nga janari i vitit 2022.