Hovenier: E dimë se kufiri i Kosovës është në veri të vendit
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka bërë të ditur se është takuar me liderët e Listës Serbe dhe kryetarët e katër komunave që vijnë nga kjo parti.
Ai tha se nga takimi me ta nuk kishte asnjë surprizë, pasi ata, sipas tij, ndanë shqetësimet që i kanë shprehur publikisht, teksa bëri të ditur se vet ambasadori ndau përkushtimin e ShBA-së për disa parime, duke përfshirë këtu pavarësinë e Kosovës qysh nga 2008-ta.
“Njëra është duke e bërë të qartë se SHBA-të e kanë pikëpamjen shumë të qartë dhe që nga viti 2008 se Kosova është shtet sovran, i pavarur, demokratik…dhe SHBA-ja është e përkushtuar ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”, është shprehur Hovenier për Kossev, transmeton Klankosova.tv.
Për median serbe, Hovenier tha se ShBA-të e kanë të qartë se kufiri i Kosovës është në veri të vendit.
“Ne e dimë se ku është kufiri dhe kufiri është në veri të vendit ku jam ulur tani, teksa jam ulur në Mitrovicë”, është shprehur Hovenier, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, ai tha se ShBA-të mbeten të përkushtuara që të gjithë qytetarët e Kosovës të gëzojnë të njëjtat të drejta dhe privilegje.