Hoti tregon kush po e dëmton shtetin dhe po shkel Kushtetutën
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë të martën se tre drejtuesit më të lartë të institucioneve kryesore të shtetit, presidenti, kryeparlamentari dhe kryeministri, me veprimet e tyre janë duke e dëmtuar shtetin e Kosovës.
Hoti tha se me veprimet e tyre kryeministri Ramush Haradinaj dhe presidenti Hashim Thaçi kanë shkelur edhe Kushtetutën.
“Kryeministri, kur e ka deleguar dialogun me Serbinë tek Presidenti, e ka shkelur Kushtetutën duke mos ushtruar detyrimet e tij kushtetuese. Presidenti po e shkel çdo ditë kushtetutën duke u angazhuar, brenda dhe jashtë Kosovës, për korrigjim të kufijve”, ka shkruar Hoti në rrjetin social Facebook.
Sipas Hotit, në gjithë këto veprime kryeparlamentari është vetëm spektator, i cili bën fushatë në terren me fjalë të ashpra pa asnjë seriozitet institucional, ndërkaq e quan veten shef të koalicionit PAN.
“Për t’i mbuluar dështimet dhe angazhimet e tyre jo kushtetuese, presidenti, kryeministri e kryeparlamentari kanë ashpërsuar akuzat ndaj njëri tjetrit. Në një fushatë të ashpër, ata po i shtyjnë para agjendat e tyre klanore e partiake, duke e dëmtuar shtetin e Kosovës”, tha ai.
Deputeti Hoti thotë se sovraniteti dhe kufiri i Kosovës mbrohen me vendime kushtetuese, të cilët nuk po i ndërmarrin përgjegjësit.
Për të dalë nga kjo situatë, Hoti ka ritheksuar se sa më parë duhet t’u japim mundësi qytetarëve të shtetit sovran të Republikës së Kosovës, në kufijtë e 17 shkurtit 2008, të thonë fjalën e tyre në zgjedhje të lira./FaktePlus