Hoti: Shumë shpejt hiqen pengesat për rifillimin e bisedimeve me Serbinë
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se qeveria e tij synon që të heqë shumë shpejt të gjitha pengesat për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
– Zoti kryeministër ju morët detyrën në një kohë kur pritet të rifillojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sa jeni i gatshëm të merrni një përgjegjësi të tillë?
Avdullah Hoti: Unë besoj se procesi është bukur mirë i kornizuar sa u përket edhe pritjeve tona si shoqëri dhe si shtet, por edhe procedurave dhe parimeve që duhet të ndiqen në procesin e dialogut. E para, ne hyjmë në këtë proces për të përmbyllur marrëveshjen me Serbinë, që duhet të rezultojë me njohjen përfundimtare, sepse ka disa vite që po dialogojmë për tema që janë më teknike ndoshta, për normalizim të marrëdhënieve në mes të dy shteteve, për qarkullim të lirë e të tjera në segmente të ndryshme. Ndërkaq, tash duhet të ulemi për të përmbyllur komplet marrëveshjen, e cila domosdo, sepse vetëm kështu ka kuptim, duhet të çojë në njohjen reciproke në mes të dy vendeve. E dyta, sa u takon parimeve që duhet t’u përmbahemi, unë mendoj se është mjaftë e qartë, kemi pozicion të qartë si koalicion qeverisës se në çfarë formati hyjmë në këtë dialog, i cili format në masë të madhe është përcaktuar edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese vitin e kaluar me ligjin për dialogun, ku qartësohen saktë kompetencat e institucioneve, bartësve të institucioneve të Republikës së Kosovës sa i përket procesit të dialogut.
–Si mendoni të shkoni në bisedime, do të shkoni ju bashkë me presidentin apo do të formoni një ekip me partitë e koalicionit qeverisës që jeni bashkë?
Avdullah Hoti: Prandaj po them është e qartë në këtë drejtim sepse dialogun eudhëheq qeveria, kreu i qeverisë është kryeministri, kështu që mua në bazë të Kushtetutës më bie kjo barrë e udhëheqjes së këtij procesi. Atë që do të bëj unë është që të zbatoj një qasje jo konfrontuese me institucionet tjera, por një qasje koordinuese për t’i përfshirë të gjithë në këtë proces. Por sigurisht, barra do të bie mbi qeverinë, mbi këtë koalicion qeverisës. Por, përtej kësaj, do të zgjasim dorën edhe tek opozita, për të parë se si ata mund të përfshihen në këtë proces. Të gjitha partitë parlamentare duhet të jenë të përfshira në këtë proces, por vetëm mbi baza të mekanizmave kushtetues dhe parlamentar që i jep të drejtë të gjithëve edhe opozitës që të përfshihen në këtë proces. Kuvendi në këtë aspekt do të ketë rol kyç, përmes mekanizmave ekzistues parlamentar, komisioneve të ndryshme parlamentare, ose duke krijuar mekanizma të ri parlamentar ku prapë opozita e ka fjalën kryesore për të mbikëqyrur procesin. Ajo për të cilën unë siguroj opozitën dhe qytetarët është që procesi do të udhëhiqet vetëm mbi baza kushtetuese dhe me një transparencë të plotë gjatë këtij procesi, sepse ky nuk është proces që i takon vetëm një koalicioni qeverisës, por gjithë spektrit politik dhe gjithë qytetarëve të vendit. Prandaj jemi duke menduar mekanizma të ndryshëm kushtetues, jo mekanizma jo institucional por kushtetues, që të gjitha palët të jenë të përfshira në proces dhe të arrijmë një marrëveshje e cila mund të ratifikohet në parlamentin e Kosovës.
– Por, zoti kryeministër deri më tani ftesat për bisedime i janë dërguar presidentit të vendit, Hashim Thaci. Nëse ndodh prapë e njëjta gjë si do të veproni ju?
Avdullah Hoti: Presidenti i ka kompetencat e veta kushtetuese dhe ai do t’i ushtrojë dhe duhet t’i ushtroj kompetencat e veta. Unë i kam kompetencat e mia si kreu i qeverisë, do t’i ushtroj plotësisht pa lejuar që askush të ndërhyjë në to. Nuk duhet dhe nuk do të lejoj që të ndërhyjë dikush në kompetencat e mia si kryeministër i vendit, por në të njëjtën kohë duke qenë llogaridhënës karshi kuvendit të Kosovës si institucion mbikëqyrës i punës së qeverisë.
– A prisni telashe në raport me presidentin në udhëheqjen e bisedimeve?
Avdullah Hoti: Jo, absolutisht jo. Për aq kohë sa të gjithë i zbatojmë obligimet tona kushtetuese nuk duhet të ketë asnjë problem në këtë drejtim. Ajo që duhet të ndodhë, që ka munguar në të kaluarën, sepse në qeverinë e fundit në veçanti nuk ka pasur vullnet nga kreu i qeverisë që të marrë rolin koordinues mes forcave politike në këtë proces, por më shumë ka pasur një qasje konfrontuese, ndoshta për interesa të tjera politike por tani ajo nuk është e rëndësishme. Qasja jonë është që ne t’i sjellim të gjithë bashkë në tavolinë, dhe unë së shpejti do të filloj një raund të konsultimeve me të gjithë krerët e partive politike parlamentare, për të ju prezantuar atyre qasjen tonë që nuk është e panjohur. Të gjithë qytetarët e dinë qasjen që ne e kemi si koalicion qeverisës, edhe si Lidhje Demokratike edhe tash si koalicion qeverisës. Tash është pozicion i qeverisë së Kosovës karshi këtij procesi të dialogut, pra një tryezë e diskutimeve, konsultimeve me liderë të partive politike për t’ju prezantuar se si ne e shohim këtë proces dhe për t’u kërkuar atyre që të jenë të përfshirë gjatë gjithë kohës në këtë proces. Unë do t’i mbajë vazhdimisht të informuar dhe të përfshirë gjatë gjithë kohës jo vetëm kur të arrihet marrëveshja por gjatë tërë procesit, në mënyrë që një herë e përgjithmonë të mbyllet marrëveshja me Serbinë, sepse unë besoj që është interes jetik për paqen dhe stabilitetin për gjithë rajonin.
– Para se të rifillojnë këto bisedime duhet të hiqen masat që janë vendosur nga qeveria e Kosovës, siç është reciprociteti për mallrat që vijnë nga Serbia. Ju jeni zotuar se do ta bëni një gjë të tillë, kur mendoni ta bëni atë?
“Kemi parë historikun ta zëmë të taksës 100 për qind, ose të masave tash të fundit për reciprocitet dhe nëse nuk kemi përkrahjen e miqve tanë për vendosjen e këtyre masave, ato nuk prodhojnë efektet e dëshiruara për shtetin e Kosovës.”
Avdullah Hoti: Ne jemi zotuar se do t’i heqim të gjitha pengesat që lidhen me procesin e dialogut. Në ditët e ardhshme do t’i marrim vendimet e nevojshme që këto pengesa të hiqen, t’i japim frymë dialogut, t’i japim mundësi dialogut sepse kështu i kemi dakordimet me partnerët tanë ndërkombëtar që t’i japim mundësi dialogut. Nëse eventualisht dialogu nuk është i suksesshëm, ne sigurisht e ruajmë të drejtën tonë si shtet, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi që të vendosim të gjitha masat reciproke karshi Serbisë edhe vendeve tjera nëse një gjë e tillë shihet e nevojshme. Por, ajo që është e rëndësishme te këto masa, është që ato mund të kenë sukses vetëm nëse vendosen në dakordim me partnerët tanë ndërkombëtar. Kemi parë historikun ta zëmë të taksës 100 për qind, ose të masave tash të fundit për reciprocitet dhe nëse nuk kemi përkrahjen e miqve tanë për vendosjen e këtyre masave, ato nuk prodhojnë efektet e dëshiruara për shtetin e Kosovës.
– A do të kërkoni diçka nga Serbia në mënyrë që t’i largoni këto masa?
Avdullah Hoti: Unë pres që të dy vendet të heqin të gjitha pengesat për dialog.
– Cilat janë këto pengesa që Serbia i bën Kosovës?
Avdullah Hoti: Nga ana e Serbisë para së gjithash është ndalimi i kampanjës në arenën ndërkombëtare për tërheqjen e njohjeve ndaj Kosovës. Kjo para së gjithash dhe disa veprime të tjera që duhet t’i bëjnë autoritetet e Serbisë, ka thënë Hoti në VOA.