Hoti reagon për ndarjen e 180 mijë euro nga rezervat për një film
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka reaguar të mërkurën lidhur me ndarjen e 180 mijë eurove nga rezervat shtetërore për një film.
Ai theksoi se Ligji për financat publike i përcakton qartë rastet kur ndahen mjete nga rezervat dhe Qeveria e PAN-it ka bërë shkelje me ndarjen në atë formë të parave.
“Më 12 shkurt 2019, Qeveria e PAN-it ndan 180 mijë euro nga rezervat shtetërore për një film. Nuk i jap vetes të drejtë të vlerësoj rëndësinë e këtij filmi. Mund të jetë i rëndësishëm për të dokumentuar të kaluarën e hidhur të popullit të Kosovës. Por paratë duhet t’i ndajë tjetër institucion”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, për këtë çështje ekziston Qendra Kinematografike e Kosovës që sipas ligjit është institucion publik qendror për kinematografi me qëllim realizimin e politikave kinematografike për interesin publik dhe çdo vit organizon thirrje për subvencionimin e projekteve filmike.
“Në mbledhje të Qeverise duket nuk kanë qenë në dijeni për këtë vendim as zv.ministrja e Kulturës që ishte prezente. Ligji për financat publike i përcakton qartë rastet kur ndahen mjete nga rezervat. Gjykojeni vetë se çfarë i thonë kësaj mënyre të shpenzimit të buxhetit”, ka thënë Hoti.