Hoti pak para marrjes së detyrës: Po ndihem shumë mirë
Kryeministri i vendit Avdullah Hoti është drejtuar në objektin qeveritar ku zyrtarisht do të marrë postin e shefit të ekzekutivit.
Hoti shkurt tha se si kryeministër i vendit po ndihet shumë mirë.
“Po ndihem mirë, një ditë e zakonshme pune. E kemi një program qeverisës dhe do të vazhdojmë me të”, tha Hoti kur u pyet për punën e parë që do ta bëjë si kryeministër.
Avdullah Hoti sot do ta marrë edhe zyrtarisht detyrën e Kryeministrit.
Ceremonia e marrjes së detyrës do të bëhet nga ora 09:00.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga zyra për informim e kryeministrit.
“Njoftohen përfaqësuesit e medieve se ceremonia e marrjes së detyrës nga Kryeministri i zgjedhur, Avdullah Hoti, do të mbahet nesër (E enjte, 04 qershor 2020) me fillim në ora 09:00”, thuhet në njoftimimin e zyrës së Kryeministrit.
Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës dje është zgjedhur kryeministër i vendit nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 61 vota për, 24 kundër dhe 1 abstenim.
Hoti u zgjodh kryeministër pas shkarkimit të Qeverisë Kurti më 25 mars, ku u votua mocioni i mosbesimit iniciuar nga partneri i koalicionit, LDK-ja.