Hoti: Nuk shkoj në Washington për të hapur tema që bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës
Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka deklaruar se kanë bërë të gjitha koordinimet brenda qeverisë për të përfaqësuar Kosovën në takimin në Shtëpinë e Bardhë që do të mbahet më 27 qeshor, në të cilin pritet të diskutohet për procesion e dialogut me Serbinë.
Ai në një konferencë për media theksoi se ju duhet vetëm edhe një koordinim shtetëror për të arritur një konsensus me opozitën të cilët duhet të jenë pjesëmarrës në diskutimet për dialogun.
“Në takimin në Washington fillojmë procesion e dialogut për njohje reciproke në mes dy vendeve tona. Në atë takim unë do të përfaqësojë Qeverinë e Kosovës në bazë të Kushtetutës delegacioni do të formohet në ditët e ardhshme”.
“Nuk kemi asnjë hezitim në këtë drejtim atë që kemi bërë gjatë këtyre ditëve siç e keni parë, kemi bërë të gjitha koordinimet brenda koalicionit qeverisës për të ndërtuar qëndrimin tonë të cilin e kemi bërë publik tashmë platformën për dialog”.
“Kemi zgjatur dorën edhe tek opozita kemi kërkuar edhe ata të na dëgjojnë, kemi informuar vende tona mike, ambasadorët e QUINT-it. Nesër kam takim edhe me ambasadorët e 27 vende të BE-së. Sot kemi pas një diskutim më shoqërinë civile me njerëzit që kanë qene të përfshirë në këtë proces gjatë. Edhe them me kënaqësi që pozicioni që kemi formësuar si qeveri për çështjet e dialogut po pritet jashtëzakonisht mirë duket se është formuar konsensusi qendror për këtë qëndrim të Qeverisë së Kosovës”.
“Ajo që na duhet është ndërtimi i konsensusit shtetëror, pra përfshirja e opozitës në këtë proces. Nesër kam takim me liderët e partive për t’i informuar edhe një herë ata për qëndrimin tonë dhe për ftesën tonë që kemi në Washington”.
Hoti ka thënë se në këtë takim janë duke shkuar për të arritur një njohje reciproke në mes dy vendeve.
“Ne shkojmë në këtë takim me qëndrim të qartë të shtetit të Kosovës për të filluar dialogun për njohje reciproke, ky nuk është dialog për normalizim të marrëdhënieve, normalizimi i marrëdhënieve do të jetë derivat i njohjes reciproke në mes dy vendeve. Kemi dialoguar qe 7 apo 8 vite nga viti 2011e tek këndej për normalizim të marrëdhënieve”.
“Tash jemi në pikën kur duhet të dakordohemi për njohje reciproke dhe mandej t’i dakordojmë çështjet e hapura në mes dy shteteve”.
“Ne ulemi, në tavolinë të dialogut si palë e barabartë si dy shtete që nuk e njohin njëra tjetrën për të arritur një marrëveshje për njohje reciproke”.
I pyetur se se a do largohet nga takimi në Shtëpinë e Bardhë nëse flitet për shkëmbim të territoreve, Hoti u shpreh se janë duke u ngritur konspiracione dhe hipoteza për këtë.
“Po, ngritni hipoteza çka nëse për të larguar këto dilema ne kemi platformën tonë për dialog. Unë kam mandat kushtetues për të dialoguar në emër të shtetit të Kosovës, pra për të arritur një marrëveshje për njohjen reciproke në përputhje me Kushtetutën e vendit”.
” Nuk kam mandat për të diskutuar për shkëmbime territoriale. Nuk kam mandat për të diskutuar për struktura të ndryshme që bien ndesh me karakterin unitar të shtetit tonë të Kosovës”.
“Besoj që kemi vendos një kornizë brenda së cilës do të zhvillohet dialogu, dhe ky do të jetë pozicioni i jonë unë tjetër mandat nuk kam”.
“Nuk shkoj atje për hapur tema që bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës por edhe me qëndrimin tonë që kemi pasë vazhdimisht”, ka thënë Hoti.