Hoti nuk e ka mbështetjen e opozitës për dialogun me Serbinë
Kryeministri, Avdullah Hoti, do ta ketë të vështirë ta formoj ekipin negociator për bisedimet me Serbinë, për shkak se partitë opozitare, Vetëvendosje dhe PDK-ja kanë refuzuar ftesën e kryeministrit për të qenë pjesë e forumit të liderëve ku do të flitej për këtë proces.Analistët vlerësojnë se është e domosdoshme përfshirja e opozitës në këtë proces.
Kur janë shtuar thirrjet e SHBA-së dhe BE-së për rifillimin e dialogut pas heqjes së reciprocitetit qeveria Hoti është në kërkim të përkrahjes nga partitë opozitare Vetëvendosje dhe PDK-ja për krijimin e ekipit negociator për bisedimet me Serbinë.
Zyrtarët e VV-së kanë refuzuar thirrjen e kryeministrit Hoti për t;iu bashkëngjitur ekipit negociator pasi kabinetin e tij qeveritar e konsiderojnë jolegjitim ndërsa në PDK thonë se nuk pranojnë ftesat e bëra nga studiot televizive.
Ndërkohë njohësi i zhvillimeve analitike Faton Avdullahu e sheh të domosdoshme mbështetjen e opozitës në procesin e dialogut.
Heqja e masës së reciprocitetit nga ana e qeverisë Hoti si shtysë për vazhdimin e dialogut me Serbinë u mirëprit nga SHBA’ja dhe BE’ja. Por pavarësisht kësaj, hulumtuesja në Institutin Demokratik të Kosovës Violeta Haxholli vlerëson se nevojitet që Kosova të jetë palë e barabartë në këtë dialog.