Hoti: Kurti nuk është i gatshëm të bashkëpunojë me të tjerët
Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk është i gatshëm të bashkëpunojë me të tjerët.
Hoti i cili është shkarkuar nga pozita e zëvendëskryeministrit, ka thënë se personalisht i ka kërkuar Kurtit që të mos e nënshkruante vendimin për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, sepse kishte dyshime për shkelje kushtetuese, njofton Klan Kosova.
“Vlerësoj se nuk ka nevojë për tryeze politike me një Qeveri që i ka ditët e numëruara, e rrjedhimisht nuk mund të marrë kurrfarë zotimesh, dhe që dy herë radhazi e shkel Kushtetutën”.
“Masat për kufizim të lëvizjes janë marrë pa u konsultuar me askënd. Sa unë isha në Qeveri, personalisht i pata kërkuar të mos e nënshkruante atë vendim, sepse kishim dyshime për shkelje kushtetuese. Edhe pas aktgjykimit te Gjykatës Kushtetuese, ky ndërmori masa në kundërshtim me atë aktgjykim si dhe masa për mbështetje për biznese prapë pa konsultim me askënd”.
“Në fakt, plot vendime të Qeverisë imponoheshin nga ai pa asnjë konsultim paraprak, duke i kthyer ministrat në makineri votimi. Pak humor, por është fakt se disa herë më parë kanë ardhur ministrat në takimin e Qeverisë e mandej iu është shpërndarë agjenda e takimit”.
“Prandaj, edhe kjo tryezë që ka ftuar nuk shërben për asgjë. Sepse ai nuk është i gatshëm të punojë me të tjerët, siç u pa në 52 ditë të qeverisjes me qëndrimin e tij autoritar dhe vendimet arbitrare, që çuan në ndërprerjen e bashkëpunimit me LDK-në dhe shkarkimin e tij”.