Hoti kërkon nga Osmani ta trajtojë me prioritet Projektligjin e buxhetit
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka kërkuar nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani që ta trajtoj me prioritet Projektligjin për plotësim ndryshimin e Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2020, si dhe ri-procedimin për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare, pasi që bizneset e vogla dhe të mesme janë duke u goditur nga rënia ekonomike.
Hoti ka thënë se masat për të parandaluar përhapjen e coronavirusit, kanë rezultuar në ndërprerje të zinxhirit të furnizimit dhe një rënie masive të kërkesës në shumicën e sektorëve, transmeton Telegrafi.
“Bizneset e vogla dhe të mesme, përfshirë ato të drejtuara nga gra dhe sipërmarrës të rinj, janë duke u goditur më së shumti nga rënia ekonomike e shkaktuar nga pandemia. Masat për të parandaluar përhapjen e coronavirusit, kanë rezultuar në ndërprerje të zinxhirit të furnizimit dhe një rënie masive të kërkesës në shumicën e sektorëve”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Më tej, ai ka thënë se “për të vazhduar të luajnë rolin e tyre vendimtar në krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e kushteve të jetesës, bizneset varen më shumë se kurrë nga një mjedis ekonomik favorizues që siguron mbështetjen për qasje në financa, informacion dhe tregje”.
“Dje i kam kërkuar edhe me shkrim kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, që Kuvendi i Kosovës ta trajtoj me prioritet Projektligjin për plotësim ndryshimin e Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2020, si dhe ri-procedimin për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare”, thotë kryeministri.
Hoti ka thënë se “aprovimi i Projektligjit të Buxhetit dhe ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare do t’i hapte rruga Qeverisë për të ndërmarrë masa të menjëhershme në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve, me planin shumë të nevojshëm për rimëkëmbjen ekonomike”.
“Duke marrë parasysh pasojat që kjo pandemi po shkakton në ekonomi, aprovimi i Projektligjit të Buxhetit dhe ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare do t’i hapte rruga Qeverisë për të ndërmarrë masa të menjëhershme në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve, me planin shumë të nevojshëm për rimëkëmbjen ekonomike”.