Hoti jep detaje për takimin me Presidentin e Francës
Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka mbajtur sot një konferencë për media ku ndër të tjerash u deklarua për vizitën e tij në Paris.
Hoti bëri të ditur se i ka bërë ftesë presidentit francez për të vizituar Kosovën dhe se i njëjti ka pranuar me kënaqësinë.
“Ka pranuar ftesën me kënaqësi për të ardhur në Kosovë dhe do të njoftohemi më saktë për datën dhe detajet shtesë. Temë e rëndësishme në takim ishte edhe procesi i dialogut, kështu që këtë të premte përmes një video-konference do të mbahet edhe Samiti i Parisit, i organizuar nga presidenti Macron dhe kancelarja gjerman, Angela Merkel. Kam treguar qartë qëndrimin tonë për dialogun me Serbinë, që është proces shumë i rëndësishëm që përmbyll një çështje të hapur mes dy vendeve.Besoj se kisha mirëkuptimin e tij për qëndrimin tonë, për një dialog që rezulton me njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes dy vendeve. Vetëm njohja reciproke përfundimisht e qetëson këtë pjesë të Ballkanit dhe Evropës dhe i mundëson gjithë regjionit perspektivë. Pres që të premten të zhvillojmë këtë samit dhe të prezantojmë qëndrimin tonë shtetërore sa i përket dialogut. Për ne njohja reciproke është i vetmi qëllim në dialogun Kosovë-Serbi dhe normalisht normalizimi i marrëdhënieve duhet të jetë derivat i njohjes”, shtoi Hoti.