Hoti i përgjigjet Haradinajt nga FSK-ja, tregon se sot Qeveria merr masa të reja
Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka vizituar sot spitalin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Prishtinë.
Hoti ka parë nga afër kapacitetet e këtij spitali ushtarak në rast se do të ketë nevojë të përdoret.
“Inspektuam spitalin ushtarak për të parë kapacitetet që FSK do t’i vëmë në dispozicion në rast se do të kemi nevojë t’i përdorim. Unë nuk jam njeri ushtarak, po jam impresionu dhe emocionu me disiplinën ushtarake. Do të punojmë së bashku me stafin për të përballuar situatën nëpër të cilën po kalojmë. I falënderova për mbështetjen që e ka dhënë FSK’ja për institucionet tjera që tash po duket se po përkeqësohet dhe ne duhet të përgatitemi për të gjitha variantet që i kemi përpara”, ka thënë kryeministri.
Në këtë rast Hoti iu është përgjigjur edhe kritikave që ka dhënë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj lidhur me kufizimet e vendosura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
“Në qeveri jemi duke shqyrtuar një varg të masave, tash nga kjo ngjarje do të kemi një konsultim me kabinetin qeveritar. Unë e kam thënë gjithmonë do t’i plotësojmë rekomandimet që na vijnë nga profesionistët në përputhje me situatën. Do të bëjmë konsultime me partnerët dhe akterët tjerë. Po mundohemi edhe me gastronomët t’i harmonizojmë qëndrimet. Fjalën e fundit e japin profesionistët”, ka shtuar ai, derisa ka folur edhe për antarësimin në organizata ndërkombëtare.
“Çdo anëtarësim i Kosovës në organizata ndërkombëtare bëhet në koordinim me partnerët, ne jemi dakordu që në këtë proces të rrugëtojmë bashkë”, ka thënë Hoti.