Hoti: 30 % e kosovarëve s’besojnë që ka virus, kjo është e patolerueshme
“S’ka virus”, është bërë një prej shprehjeve më të shpeshta të këtyre ditëve, e cila po përdoret me ironi nga shumë qytetarë sa herë që ka shtim të rasteve të të infektuarve me COVID-19.
E duket se një shprehje të tillë të cilën e ka thënë ish-deputeti Labinot Tahiri, në një protestë ku kërkonte lejimin e dasmave, e besojnë edhe 30 % e kosovarëve.
Një gjë të tillë e ka thënë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një konference për media, duke treguar se do të fillojnë me publikimin e reportazheve ditore nga Klinika Infektive për t’iu treguar qytetarëve se me çfarë përballen të shtruarit në spital të infektuar me COVID-19.
“ Do të fillojmë me reportazh të rregullt nga Klinika Infektive, në mënyre që t’iu tregojmë qytetarëve se me çfarë përballen pacientët. Në bazë të vlerësimeve, 30 % e qytetarëve në Kosovë, nuk besojnë që COVID është real, nuk besojnë që ai është i rrezikshëm. Kjo është e patolerueshme”, ka thënë Hoti, raporton Express.
Ai gjithashtu ka thënë se do të hartojnë një strategji të komunikimit në bashkëpunim me mediat.